Lajmet e fundit

Veprimtari dhe njëherësh nënkryetari i komunës së Drenasit, Gani Sylaj, ka ndërruar jetë sot në mëngjes në moshën 67 vjeçare.
Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tha se kombi shqiptar nga sot e ka një atdhetar më pak, njofton Klan Kosova.
“Sot, në mëngjes u nda nga ne fizikisht, veprimtari, atdhetari, bashkëluftëtari dhe një nga ideologët e çështjes kombëtare, Gani Sylaj. Nga sot, Drenasi dhe kombi ynë, në mesin e vet, ka një atdhetar më pak, i cili me devotshmërinë e tij të pashoqe, nga vitet 70, të shekullit të kaluar, me veprimtarinë ilegale atdhetare, filloi rrugëtimin për liri dhe çlirim”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.
“Nga sot, radhët e armatës së shtetndërtuesve, i mungon një nga emrat më të shkëlqyer, i cili me urtësi, vizion dhe mirësi, fuqishëm i kontribuoi ndërtimit të vendit, debatit demokratik në komunën tonë dhe përhapjen e kulturës demokratike, për debat, për avancim të kulturës tonë politike. Shpreh ngushëllimet më të thella për familjen Syla, bashkëveprimtarëve të tij, bashkëluftëtarët dhe bashkëmendimtarëve anë e kënd atdheut tonë!”.
Ditë më parë aktivisti Sylaj u dekorua nga presidenti Hashim Thaçi me Medaljen Presidenciale.
“Sot e dekorova me Medalje Presidenciale veprimtarin dhe atdhetarin e shquar të Lëvizjes Kombëtare, Gani Sylajn. Ganiu ka dhënë kontribut të pandërprerë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit që shkoi, si mësimdhënës, drejtues i organizatave patriotike, i burgosur politik dhe zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veri, gjithmonë me idealin e qartë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e shqiptarëve. Edhe sot ai punon me tërë energjitë për forcimin e institucioneve të Kosovës së lirë dhe demokratike”, kishte shkruar Thaçi.