Aktorja Kelley Mack, e njohur për paraqitjen e saj në dramën post-apokaliptike me zombi “The Walking Dead”, ka vdekur në moshën 33 vjeçe.
Mack, e cila lindi si Kelley Klebenow, “vdiq në paqe” në qytetin e saj të lindjes, Cincinatti, të shtunën, pasi luftoi me gliomën e sistemit nervor qendror, sipas një deklarate të postuar në rrjetin social “CaringBridge”. Një glioma është një lloj tumori që prek trurin ose palcën kurrizore, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
“Me trishtim të madh po njoftojmë ndarjen nga jeta të Kelleyt tonë të dashur. Një dritë kaq e ndritshme dhe e zjarrtë ka kaluar në të përtejmen, ku të gjithë përfundimisht duhet të shkojmë”, shkruhej në një postim në Instagramin e Mack të martën së bashku me një foto të aktores.
Ngushëllime kanë vërshuar nga kolegët, miqtë dhe fansat që e kujtojnë atë si “të talentuar” dhe një “shpirt të ëmbël”.
“Çfarë njeriu i pabesueshëm. Shumë krenare që luftova përkrah saj në episodin tonë të fundit së bashku”, shkroi Alanna Masterson, e cila gjithashtu luajti në “The Walking Dead”.
Mack ka pasur 35 role si aktore dhe pesë si producente gjatë karrierës së saj, sipas deklaratës së postuar në “CaringBridge”. Ajo ishte më e njohur për interpretimin e Addy në sezonin 9 të “The Walking Dead” dhe Penelope Jacobs në sezonin 8 të “Chicago Med” dhe në “9-1-1” të FOX.
Aktorja la pas prindërit e saj, Kristen dhe Lindsay Klebenow; motrën Kathryn dhe vëllain Parker; gjyshërit Lois dhe Larry Klebenow; dhe të dashurin e saj Logan Lanier.
“Trashëgimia e Kelley do të jetojë përmes kontributeve të saj në film dhe televizion, dhe në zemrat e atyre që e deshën. Ajo do të na mungojë shumë dhe do të kujtohet përgjithmonë për talentin, mirësinë dhe shpirtin e saj të gjallë”, thuhet në deklaratë. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.