13.10.2016 · përditësuar para 3562 dite1 min lexim
Dario Fo, shkrimtari dhe dramaturgu italian, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1997, ka vdekur në moshën 90 vjeçare, njofton Klan Kosova.
Ai po vuante nga problemet në mushkëri dhe kishte 12 ditë që ishte shtruar në spital.
Matteo Renzi, Kryeministri i Italisë, është shprehur i pikëlluar.
“Me vdekjen e Dario Fo Italia ka humbur njërin ndër protagonistët më të shquar të teatrit, kulturës dhe jetës qytetare të vendit tonë”.
“Satira e tij dhe kontributi i gjithanshëm kulturor janë trashëgimi e njërit prej italianëve më të mëdhenj të botës”.
Fo dhe Franca Rame – gruaja dhe muza e tij – hynë në zemrat dhe mendjet e italianëve të zakonshëm duke shkruar dhe performuar në skenë, radio dhe televizion, si dhe duke i kritikuar skajshmërisht liderët politikë.
Humori i tij subversiv ia dha një kult statusin në jetën publike.
Në vitin 1969 krijoi kontroversa me veprën e tij Mistero Buffo, në të cilën i ritregoi ungjijtë katolikë në një format të improvizuar. Kjo çoi deri në ndalesën 14 vjeçare për t’u shfaqur në Radiotelevizionin Publik RAI, si dhe në refuzimin e vizës amerikane.
Mediat italiane shkruajnë se vendi ka humbur njeriun i cili sipas prezantuesit Pippo Baudo, “ka krijuar një mënyrë të re të të bërit teatër, një gjuhë të re”.
Fo ishte përkrahës i madh i Lëvizjes Pesë Yje (M5S), subjekt politik populist dhe anti-establishment, ndërsa liderin e saj Beppe Grillo e konsideronte si njërin ndër heronjtë e komedive të tij kaotike.