Lajmet e fundit

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka njoftuar opinionin se sot në mëngjes, në spitalin e Prishtinës ka vdekur akademik Latif Susuri.
Në një komunikatë për media, kjo Akademi i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Susuri, miqve dhe dashamirëve të tij gjithandej Kosovës dhe mbarë botës shqiptare.
Mbledhja komemorative do të mbahet sot, në orën 11, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa homazhet pas kësaj mbledhjeje, po ashtu në mjediset e Akademisë.
Akademik Latif Susuri do të varroset sot (e enjte) në vendin e tij të lindjes, në Zhur, në orën 16.
Latif Susuri lindi më 7. 05. 1941 në Zhur, ku e kreu shkollën fillore, transmeton Klan Kosova.
Shkollën e mesme bujqësore e mbaroi në Prishtinë, ndërsa Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Beogradit, në vitin 1975.
Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Fakultetin e Agronomisë të Universitetit të Zagrebit, në vitin 1983. Si bursist i disa fondacioneve qëndroi për studime specialistike në SHBA, në Angli dhe në qendra të tjera.
Në vitin 1977 zgjidhet ligjërues në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës dhe pastaj i merr të gjitha thirrjet akademike deri te profesori ordinar. Ishte dhe dekan i këtij Fakulteti.
Në vitin 2000 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.