Lajmet e fundit
Orwell kishte frikë se e vërteta do të fshihej, e Huxley kishte frikë se ajo do të hidhej në detin e parëndësisë. Të parën shqiptari e vuajti në komunizëm, e të dytën po e shijon në demokraci!

Skenë nga filmi “Kampi i ciganëve shkon në Parajsë" ("Табор уходит в небо")
Një studim i bërë më 2016 nga Digital Content Next, tregon se 43 për qind e përdoruesve në rrjetet sociale nuk e dinë se nga ku janë shfaqur lajmet që kanë lexuar. Ndërkaq, një tjetër i kryer po ashtu në këtë vit, nga American Press Institute, thotë se mediat sociale e kanë nxitur aq shumë dyshimin e amerikanëve në media, sa që vetëm gjashtë për qind e tyre kanë besim te to; 52 për qind kanë pak besim; dhe, 41 për qind nuk kanë fare. Sipas studimit, shumica informohet nga rrjeti Facebook, por vetëm 12 për qind e përdoruesve të këtij rrjeti kanë besim tek lajmet e postuara aty (besueshmëria, me 18 për qind, vlen për lajmet e postuara në Twitter).
Shembull i freskët i mosbesimit vjen nga Gjermania, ku një portal që anon kah e djathta ekstreme, publikon dhe interpreton lajmin se gjoja kancelarja gjermane Angela Merkel, për Ramazan ka liruar restorantet nga tatimet, që myslimanëve t’ju ofrohet ushqimi i lirë. Për të shmangur përgjegjësinë – por për të arritur qëllimet politike kundër kancelares dhe politikave të saj ndaj të huajve – si burim “besueshmërie” merren portalet arabe që, logjikisht, nuk kanë gjasa të jenë më të informuara se gjermanët për rrjedhat në shtetin e tyre.
“Bombardimi” me informata
Pra, tërë bota është në një kaos informimi – “as në tokë e as në qiell”. Kur kjo ndodh në shtetet si SHBA-të apo Gjermania, që shquhen për gazetari vërtetë profesionale, kjo e keqe është më e pranishme në vendet të vogla si Kosova e ku, vetëm në një vit – nga janari 2015 e deri në janar 2016 – janë regjistruar 59 portale (numri i përgjithshëm i tyre, i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, është 84). Në një shtet me popullatë të vogël, me mundësi të vogla buxhetore (mungesë të duhur stafi e sidomos profesionistësh), si munden ato të balancojnë faktet, të verifikojnë burimet dhe të peshojnë vlerën e lajmit? Pastaj, a mund të kryhet puna si duhet në “maninë” për sasi e jo cilësi të lajmeve? Thjeshtë, a po lexohen ato lajme brenda vetë “kolektivit”?
Derisa më herët, në ditoret e Kosovës me redaksi të mëdha, publikoheshin më së shumti 100 lajme, sot postohen deri në 600 në një ditë. E, mos të flasim për lajmin mbi lajm në rrjetet sociale, interpretimet e ngjarjeve, titujt “me karrem” (clickbait) postimet individuale, komentet…
Kulturologu Neil Postman e kishte paraparë rrezikun nga “bombardimi” me informata, sidomos në televizionet që kishin filluar transmetimet 24-orëshe (madje veç me lajme). Në veprën e tij “Duke u zbavitur për vdekje” (botuar më 1985), ai përmend rastin e dramaturgut George Bernard Shaw që sheh në Broadway një shpallje në dritat e neonit. “Do të ishte e bukur”, ka thënë ai, “sikur të mos dije të lexosh”! Këtë rast Postman e përmend për të tërhequr një paralele me kohëzgjatjen e një sekuence televizive, që është 3.5 sekonda, e që bën që syri i njeriut të mos pushojë. Kjo ndikon që shikuesi të shmanget nga realiteti, ta reduktojë kapacitetin mendor dhe të jetojë me iluzionin për njohjen.
Prandaj, në këtë kohë, me gjithë këto mediume në Kosovë, me qindra e qindra lajme që postohen, populli mbetet prapë i painformuar dhe i keqinformuar. Interneti, si një dhuratë që iu ofrua njerëzimit, po bëhet mjet i mosbesimit dhe i largimit të njerëzve nga realiteti. E, kur teknologjia keqpërdoret, ndodh e keqja për të cilën Charlie Chaplin tek “Diktatori i madh” (film i vitit 1940) tërhiqte vërejtjen: “E kemi zhvilluar shpejtësinë, por u mbyllëm në vete. Makineria që jep begati, na ka lënë nevojtarë. Dija na ka bërë cinikë… Më shumë se për makinerinë, kemi nevojë për njerëzillëk”!
Zbavitja dhe “Sindroma Hajdar K. Shtimja”
Në këtë kaos, padyshim përfituesi më i madh është pushteti. Eskili – dramaturg i Greqisë së lashtë – ka thënë se “në luftë, e vërteta është viktima e parë”. E, viktima sot shpejt harrohet, pasi proverbi i vjetër – që i atribuohet më së shumti gazetarisë – se “çdo mrekulli zgjat vetëm tri ditë”, tash ka rënë në tri orë. Kështu, përderisa në literaturë përmendet “Rrengu i madh i Hënës” – një seri e gjashtë shkrimeve të ilustruara, të publikuara më 1835 në ditoren njujorkeze The Sun, për “zbulimin” e jetës dhe të civilizimeve në Hënë nga gjoja shkencëtari dhe astronomi i njohur anglez i asaj kohe, John Herschel – kujt i kujtohet shakaja e janarit të këtij viti, e mjekut specialist që jeton në Francë, Ilaz Hysaj, për “letrën” që një prej njerëzve më të fuqishëm në botë, Mark Zuckerberg (bashkëthemelues dhe shef ekzekutiv i rrjetit social Facebook), ia ka “dërguar” shqiptarit të Kosovës Hajdar K. Shtimja? Në rastin e parë të studiuar, ditorja The Sun arriti kulmin e tirazhit; në rastin e dytë të harruar, “Hajdar K. Shtimja” – “letra” që u plasua si e vërtetë në mbi 30 portale – ishte ndër “lajmet” më të lexuara.
Rrengu i Hysajt ka shtyrë gazetarin dhe studiuesin Daut Dauti, të thotë se “Sindroma Hajdar K. Shtimja”, duhet të futet në fjalorin e gjuhës shqipe me këto sqarime: “Grup i simptomave që paraqiten së bashku dhe që karakterizojnë sëmundjen (zakonisht mentale) të mediave shqiptare e cila rezulton në nevojën apo dëshirën për të botuar informata të paverifikuara; Dëshirë e paqëllimtë për të gënjyer për shkak të mungesës së profesionalizmit; Dëshirë për të gënjyer me qëllim që te lexuesi të krijohet një mendim i caktuar në mënyrë që nga kjo të përfitojnë grupet e dyshimta politike/mafioze/afariste/religjioze etj.”!
Pra, gjithçka sot është zbavitje. Hysaj u zbavit në Facebook, e populli me 150 mijë probleme u zbavit me “faktin” se “Patroni i Facebook-ut i përkrah shqiptarët” – dhe se për këtë “u çmend Serbia e Rusia” – duke i “kompensuar” problemet, siç ka thënë vet autori i rrengut, me mbi 150 mijë pëlqime (Like) në Facebook!
Seksi, alkooli, interneti dhe llafet
Për të gjitha këto, Postman – i lindur dhe i rritur në një shoqëri demokratike – me të drejtë ishte mbështetës i “profecisë” haksliane. Sepse, përderisa Orwell paralajmëronte se njerëzit do të kaplohen nga shtypja e jashtme, Huxley parashikonte që njerëzit do ta shtypin veten duke adhuruar teknologjitë që zhbëjnë kapacitetet e të menduarit; Orwell kishte frikë nga ata që do të ndalonin librat, por Huxley kishte frikë se nuk do të ketë nevojë të ndalohen ato pasi askush nuk do të dojë t’i lexojë; Orwell kishte frikë se e vërteta do të fshihej, e Huxley kishte frikë se ajo do të hidhej në detin e parëndësisë.
“Kur populli hutohet nga trivialiteti, kur jeta kulturore ridefinohet si qark i përsëritshëm i zbavitjes, kur bashkëbisedimet serioze publike shndërrohen në llafe fëmijësh, kur, me fjalë të tjera, njerëzit bëhen audiencë dhe aktiviteti i tyre publik bëhet një akt estrade, atëherë kombi e sheh veten në rrezik, pasi vdekja e kulturës është shans i sigurt”, ka thënë Postman, sipas të cilit ajo çfarë Huxley thotë po ashtu është se në epokën e teknologjisë së përparuar, shkatërrimi shpirtëror ka më shumë gjasa të vijë nga një armik me një fytyrë të qeshur, sesa nga ai fytyra e të cilit shpreh dyshim dhe urrejtje!
Nuk dihet nëse Postman me fytyrën e qeshur e kishte fjalën për emotikonin e pëlqimit (Like) në Facebook, që vihet me apo pa vetëdije, por shqiptari është ndër të rrallët që përjetoi situatën oruelliane e sot atë haksliane. Përderisa në komunizëm, kudo, populli i shtypur ngushëllohej – duke mos i gjykuar moralisht – me seks dhe alkool, sot ai ngushëllohet me qasje në internet dhe liri të shprehjes verbale e pamore në Facebook. Nëse dikur u mohohej informata, sot u imponohet “bombardimi” për të mos mbajtur mend. Nëse dikur me dhunë u imponohej injoranca, sot kjo bëhet me kaosin informativ – në mënyrën që do ta frikësonte Orwellin më shumë se brenga që kishte më 1948. Nëse dikur shqiptarët mund të mos dinin se si dukeshin njerëzit e tyre të mëdhenj, ata mund të citonin fjalët apo veprat e mençura të tyre. E, sot njihet fytyra e çdo “fenomeni” debil online, e nuk dihet asgjë e mençur që kanë thënë këto “fenomene”.
Shkrimtari polak, do ta zbërthente më mirë këtë situatë, me këtë thënie: “Askush nuk lexon. Nëse dikush lexon, ai nuk kupton. Nëse kupton, ai menjëherë harron”! Prandaj, shqiptarët po fluturojnë në qiell, në tragjedinë e triumfit të injorancës.
Por, më 2065 parashikohet që Facebook të jetë një “varrezë digjitale” me më shumë anëtarë të vdekur se të gjallë. Pra, zbavitja nuk do të jetë e përjetshme e as injoranca. Ajo do të nisë të tretet, shpejt, në proceset e mëtejme të integrimeve, kur shqiptari i Kosovës do të futet në konkurrencë në një treg të gjerë evropian, e ku kërkohen kritere strikte – si për mishin e lopës ashtu edhe për trurin e njeriut.
Në konkurrencë të mirëfilltë evropiane, “Ciganët…” (me 65 milionë “Like”, pardon bileta të shitura) nuk fluturuan në Berlin, Venecie e Kanë…
Tarkovsky po, bashkë me artin dhe kulturën e tij që mbijeton edhe sot!