Dr. Hatixhe Gashi nga Klinika Infektive në QKUK ka treguar për gjendjen e pacientëve me Covid-19 që po trajtohen në këtë klinikë.
“Sikur edhe ditët e tjera edhe sot kemi marrë informatat e fundit nga IKSHPK për pacientët e testuar nga Klinika Infektive. Nga gjithsej 17 pacientë që kanë qenë në pritje që janë të spitalizuar, tre raste të reja pozitivë i kemi sot në klinikë”.
“Numri i të trajtuarve në Klinikën Infektive sot është 55 pacientë me Covid pozitiv ku prej tyre shtatë janë me oksigjenoterapi të cilët janë në gjendje të qëndrueshme, tre janë në mjekimin intensiv ku dy pacientë janë me ventilim mekanik dhe janë në gjendje të rëndë. Pacientët e tjerë janë në gjendje stabile”.
Gashi në Edicionin Special në Klan Kosova ka dhënë më shumë detaje lidhur me pacienten 39 vjeçare nga Istogu që ka ndërruar jetë ditën e sotme.
“Pacientja është transferuar gjatë ditës së djeshme nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale pas një ndërhyrje kirurgjike. Është transferuar në Klinikën Infektive në gjendje të përgjithshme të rëndë dhe përkundër angazhimit të stafit të klinikës tonë në orët e paradites ka përfunduar me fatalitet”.
Ajo ka thënë se është e vështirë të përcaktohet nëse shkaktari kryesor i vdekjes së pacientes – që është shënuar si viktima e tetë nga koronavirusi – ka qenë Covid-19 apo problemet e tjera shëndetësore.
“Pacientja nuk ka dhënë të dhëna për ankesa të mëhershme nga Covid-19, por ka pasë probleme kirurgjike për të cilat është trajtuar nga ana e kirurgut. Ka ardhë në gjendje të përgjithshme të rëndë, tash nuk mund të japë vlerësim se cila sëmundje ka qenë shkaktari kryesor, meqë pacientja ka qenë Covid-19 pozitiv”.
“Rastet që deri tash kanë përfunduar me fatalitet zakonisht kanë pasë edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Mjafton edhe një infeksion me Covid-19 për pacientët me sëmundje kronike të mëhershme që të përkeqësohen dhe i kontribuon përfundimit fatal të pacientit”.
Infektologia Gashi ka thënë se pritet rritje e numrit të rasteve të reja me Covid-19 në Kosovë.
“Kur kihet parasysh një inkubacion relativisht i gjatë i sëmundjes duhet pritur edhe paraqitjen e rasteve të reja në numër jo të vogël”.
“Kjo kërkesa që i bëhet popullatës ‘Rrini në shtëpi’ është plotësisht e arsyeshme në mënyrë që të mos i japim virusit këmbë dhe të mos e përhapim”.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.