Lajmet e fundit

Mijëra refugjatë nga Siria, Afganistani e Iraku u nisën në këmbë nga Stambolli drejt qytetit Edirne.
Ata këtë rrugë 250 kilometërshe do ta bëjnë pa mjete transportuese pasi nuk u lejuan nga autoritetet turke që të presin në stacionin e autobusëve këtë të hënë.
Në mungesë të ujit të pijes, shumë prej të ikurve, shfrytëzuan ujin që ujiste barin rrugëve të autostradës.
Dëshira për të kaluar prej Turqisë në Greqi, si shumë bashkëkombës të tyre u dha forcë për të vazhduar rrugën.
Për dallim prej tyre, të tjerë refugjatë që tashmë kanë mbërritur në Evropë, me autobusë u kthyen prapa prej Kroacisë në Serbi.
Në qytezën Shid të Serbisë, vullnetarët po i presin emigrantët me ujë.
Derisa Zagrebi zyrtar i ktheu mbrapsht, ushtarët hungarez kanë nisë një gardh tjetër në kufi me kroatët.
Një rrethojë 41 kilometra e gjatë përgjatë kufirit kroato-hungarez, po bëhet me qëllim të parandalimit të fluksit të emigrantëve qe po e shfrytëzojnë ketë shtet si transit.
Ndërkohe, sipas raporteve nga organizata te ndryshme, thuhet se deri tash në kontinentin e vjetër kanë hyrë mbi 470 mijë refugjatë.
Të ardhurit janë kryesisht nga Lindja e mesme, Afrika dhe Azia.
Gati gjysma e tyre besohet të jenë nga Siria.
Përgatiti Arbëresha Shpati.