Lajmet e fundit

Prindërit e nxënësve të shkollës ‘Daut Bogujevci’ të komunës së Fushë Kosovës, kanë thënë se do ta vazhdojnë bojkotin e mësimit nëse kërkesa e tyre për të mësuar në objektin e ri shkollor ‘Mihal Grameno’ nuk realizohet, njofton Klan Kosova.
Sipas këshillit të prindërve nga kjo shkollë, komuna e Fushë Kosovës ua ka mbyllur dyert për të gjetur zgjidhje lidhur me shfrytëzimin e objektit të ri mësimor.
Me këtë rast, ky këshill mbështetjen për zgjidhjen e problemit e kanë parë tek Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi i cili i pranoi sot në një takim të mbajtur në këtë Institucion.
Prindërit treguan hallin e tyre duke kërkuar që nxënësit e kësaj shkolle, procesin mësimor ta zhvillojnë në objektin e ri shkollor "Mihal Grameno".
"Ne vazhdojmë të mbetemi në bojkot derisa kërkesa jonë të realizohet që të gjithë nxënësit të mësojne në objekt të ri", tha Erkan Sylejmani nga Këshilli i Prindërve pas takimit që patën me ministrin.
Teksa ministri Bytyqi u premtoi atyre se të enjten do të takohet me Komunën e Fushë Kosovës për të gjetur ndonjë zgjidhje.
Mësimi në këtë shkollë ende nuk është duke u zhvilluar dhe mbi 320 është numri i listës së prindërve të nënshkruar për bojkotim të mësimit.