Lajmet e fundit

Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë persona të panjohur kanë vandalizuar mbishkrimet e Agjencisë "TIKA" që janë të vendosura në muret dhe hapësirat e Xhamisë së Madhe dhe xhamisë Jashar Pasha në Prishtinë.
"Cenimi në çfarë do formë i objekteve fetare është akt i shëmtuar e i papranueshëm, ndërsa atakimi dhe përdhosja e emrit të Agjencisë TIKA e cila ka restauruar këto dy xhami monumentale të mbrojtura me ligj, përveç që është akt qyqar e veprim i ulët, për më tepër si i tillë është veprim i dëmshëm sepse nxit urrejtje, mos durim ndaj popullit mik turk, përkrahja e mbështetja e të cilit nuk ka munguar për asnjë çast", thuhet në njoftimin e BIK-ut, transmeton Klan Kosova.
Sipas tyre, "të përdhosesh mbishkrimin e një institucioni që ka restauruar monumentet e trashëgimisë materiale përveç që është vepër e dënueshme ngërthen në vete edhe veti të mosmirënjohjes dhe përbuzje për partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë - për ata që na ndihmuan, përkrahen e mbështetën, gjë që nuk është virtyt e as vlerë e populli tonë".
"Ne edhe me këtë rast i shprehim mirënjohje TIKA-së, për projektet që ka realizuar dhe po realizon anë e këndë Kosovës, e në të njëjtën kohë shprehim keqardhje që individ të caktuar kanë përdhosur emrin dhe logen e tyre. Aktet e veprimet e tilla të liga i dënojmë fuqishëm dhe në të njëjtën kohë kërkojmë nga organet kompetente që kryesit e këtyre akteve të turpshme të zbulohen dhe sa më parë të sillen para drejtësisë", përfundon njoftimi.