Lajmet e fundit

Operatori publik Vala, i është bashkëngjitur fushatës së Ministrisë së Diasporës, “Ti je pjesë e Atdheut”, qëllimi i së cilës është krijimi i lehtësirave për bashkëatdhetarët.
Vala ka rezervuar 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët, numra të cilët do të kenë vlefshmëri edhe një vit, kur i njëjti qytetar me të njëjtin numër rikthehet sërish në Kosovë.
Këta numra do të përmbajnë 500 megabajt internet të shpejtë 3G e 4G, 30 minuta në rrjetin Vala dhe në numrat fiks dhe 100 SMS. Pakoja quhet Diaspora.
Të gjitha këto përfitime për bashkëatdhetarët u bën realitet përmes një Marrëveshje Mirëkuptimi të nënshkruar mes Ministrisë së Diasporës, Vala-s dhe Postës së Kosovës.
“Vala dhe Posta e Kosovës do të vënë në dispozicion të mërgimtarëve gjithë rrjetin e objekteve të tyre, ku mërgimtarët do të mund të gjejnë formularët për regjistrim. Bashkë me formualarët, do të shpërndahen edhe SIM-kartela falas, ndërsa PTK do të kontribuojë edhe në fushatën `Ti je pjesë e atdheut', për informimin e mërgimtarëve për regjistrimin e tyre", tha ministri i Diasporës, Valon Murati.
Ndërkaq, drejtori Manaxhues i PTK-së, Agron Mustafa, pasi, sqaroi se këta numra do të jenë të veçantë në krahasim me të tjerët.
Kartelat që do të dhurojmë dhe që parashihet të jenë vetëm për bashkëatdhetarët do të kenë afat vlefshmërie 1 vit, që do të thotë se numri i njëjtë i telefonit mund të përdoret edhe vitin tjetër”, deklaroi Mustafa, transmeton Klan Kosova..