Lajmet e fundit

Deri para pak muajsh, Kosova printe për diçka në Evropë. Ishte i vetmi vend që nuk kishte asnjë vaksinë anti COVID, e kur nisi të pranojë donacione të ilaçit imunizues nga Evropa, numri i dozave ishte pothuajse më i vogli në rajon.
Kjo e ka shqetësuar presidenten e vendit Vjosa Osmani, e cila nuk e la pa e përmendur këtë fakt në forumin diplomatik në Antalia të Turqisë ku të martën u diskutua për qeverisje globale, këtu ku bashkë-panelist e pati shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell, me të cilin pati një përplasje rreth kësaj çështje.
“Zotëri Borrell e përmendi iniciativën e COVAX nga e cila ka përfituar edhe Kosova. Por ndërkohë që përfitonim e kemi parë se jo secilën herë shpërndarja ka qenë e barabartë. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme që kriteret e rëndësishme të respektohen për çdo herë dhe jo nganjëherë. Prandaj mësimet që kemi nxjerrë nga kjo situatë tejet e vështirë për gjithë botën është se pjesa e botës që është shumë e fuqishme mund të na ndihmojë ne vendeve që nuk jemi edhe aq të forta, dhe që barazia dhe mbështetja e drejtë është tepër e rëndësishme. Ata që kanë nevojë për më tepër ndihmë duhet ta pranojnë atë dhe kur flasim për atë se ne nuk mund të jemi të sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt duhet ta kemi parasysh se kjo duhet të shërbejë edhe për fushat tjera.” – ka thënë Osmani.
Presidentja e Kosovës foli për ndihmën që shtetet e fuqishme duhet t’ua ofrojnë atyre më pak të tilla, dhe për pak minuta tema morri kahje tjetër.
Kjo derisa Borrell iu kthye sërish, por kur e citon presidenten kosovare i referohet si “dikush”.
“Dikush po fliste për drejtësi dhe që COVAX nuk është treguar gjithnjë i drejtë, a e dini, çfarë ne në Evropë kemi bërë është që kemi krijuar bazën për kriteret e shpërndarjes së vaksinave vetëm nga burimet tona, pra ne i kemi dhënë para COVAX-it por nuk kemi ndërhyrë në mënyrën se si COVAX e ka bërë shpërndarjen e vaksinave sepse ky program funksionon i pavarur në bazë të kritereve të IOMS dhe GAVI.” – tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për punë të jashtme.
Kur Vjosa Osmani pyetet nëse duhet të ketë bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për të ecur para, shefja kosovare e shtetit ka ende ca fjalë për spanjollin.
“Absolutisht, por duhet të fillojë me respekt të ndërsjellë, sepse vetëm për faktin se disa vende janë më të vogla, nuk do të thotë se ato nuk kanë të drejtë ta flasin të vërtetën, sikur që bëra unë më herët kur po flisja për pabarazinë në shpërndarjen e vaksinave, sepse nëse nuk e nxjerrim në pah gabimin ne nuk mund ta rregullojmë atë. Është shumë e rëndësishme që ne të flasim për secilin vend që është prekur nga pandemia dhe s’ka asnjë që nuk është prekur, dhe për këtë arsye kur e përmendi faktin që disa kritere nuk janë përmbushur apo nuk janë respektuar kjo nuk ka të bëjë asgjë me ata që e financuan, përkundrazi, mendoj se isha shumë e qartë që secili vend është falënderues për ndihmën e pranuar por kjo nuk do të thotë që ne duhet ta pranojmë ndihmën dhe ta mbyllim gojën. Do të thotë që ne duhet ta pranojmë ndihmën dhe të flasim se si t’i zgjidhim këto probleme për të ardhmen dhe secili vend, pavarësisht sa i vogël është mund t’i kontribuojë kësaj”, thotë ndër të tjera Osmani.
Vaksinat nuk janë e vetmja pikë diskutimi ku Osmani e Borrell nuk pajtohen në plotëni.
Edhe kur presidentët e Kenias dhe Haitit në panel vlerësuan se ka një dallim të madh në fjalorin politik dhe veprimet që janë marrë karshi vendeve, ka shkëndija përplasje mendimesh.
“Nuk e shoh si momentin e duhur për të drejtuar gishtin drejt njëri-tjetrit, përkundrazi, që së pari të jemi falënderues për mbështetjen që kemi marrë dhe së dyti t’i trajtojmë sfidat që i kemi kaluar”.
Borrell foli edhe për këtë pjesë dhe në një moment e quan llomotitje atë që tha presidentja.
“Dhe gjithashtu, u tha se ne nuk kemi nevojë ta drejtojmë gishtin drejt dikujt, PO, po, ne duhet të gjejmë përgjegjësinë që mbanë secili prej akterëve, nëse kjo nuk ndodhë... sepse lehtë thuhet ‘askush..’ e ‘ne themi...’ bla bla bla, sepse është më e lehtë të flasësh se sa të veprosh, dhe ne jemi të interesuar të veprojmë të bëjnë diçka në realitet dhe të shohim se cili është kontributi yt në atë rast sepse gjithmonë të veprosh është vështirë”.
Për dallim nga e premtja, të enjten Osmani e Borrell patën një takim sy më sy ku duket se e kaluan tejet qetë. Temë diskutimi ishte dialogu Kosovë Serbi dhe liberalizimi i vizave.