Elita Ziberi, emrin e së cilës e gëzon grupi i njohur ‘’Elita 5’’, ka thënë se pjesëmarrja e saj në ‘’The Voice of Turkey’’, ishte ëndërr e saj të cilën tashmë e ka realizuar.
‘’Zgjodha ‘’The Voice of Turkey’’ sepse unë gjithnjë kisha ëndërr që të konkurrojë aty. Çdo herë ndiqja audicionet në Youtube dhe televizion’’
Emri i saj është pothuajse i njohur për të gjithë, kjo nga tingujt muzikor, që lirojnë gjithnjë grupi i rok bendit shqiptar ‘’Elita 5’’.
Por më e njohur u bë qysh në paraqitjen e saj të fundit në audicionet ‘’The Voice of Turkey’’, madje duke kënduar shqip, njofton Klan Kosova.
‘’U ndjeva shumë krenare kur mora komente të mira nga juria. Në atë moment më është kujtuar kënga ‘’Hapi sytë e zezë’’.
Ziberi dha edhe një arsye pse pikërisht zgjodhi këngën në fjalë që ta këndoj në ‘’The Voice of Turkey’’:
‘’Besoja që me atë këngë tregoj muzikën shqiptare të pastër dhe me të vërtetë ja arrita qëllimit, pasi që nga juria kisha komente shumë të mira që me të vërtetë shqiptarët kanë muzikë shumë të bukur’’, ka përfunduar Elita, për Klan Kosova.
Ndonëse në fillim të karrierës së saj, Elita zbuloi edhe një sekret. Përveç që adhuron liderin e rok bendit, babain e saj Arif Ziberin, ajo pëlqen edhe një tjetër këngëtare.
‘’ Këngtarja më e preferuar e imja është Rita Ora, shqiptarja jonë. Do dëshiroja ta takoja.’’
E pyetur nga klankosova.tv, rreth reagimit të babait të saj, kur kuptoi që Elita po gëzon suksese në ‘’The Voice of Turkey’’, ajo tha se Arif Ziberi ndjehej ndryshe si asnjëherë më parë.
‘’Babi mund të them ishte më i gëzuar si asnjëherë më parë me mua. Juria kishte komente shumë të mira, që më pëlqyen shumë sepse çdo gjë që flisnin ata isha vetvetja’’ shtoi Elita.
Elita Ziberi, është këngëtarja e cila së fundi u paraqit në ‘’The Voice of Turkey’’ duke lënë të befasuar gjithë jurinë me performancën e saj. Pas këtij hapi, Ziberi tha se do të bëj përpjekje që të jap sa më shumë nga vetja e saj që tregohet edhe më e suksesshme në këtë audicion.
Duke qenë se Arif Ziberi, ka një bagazh të gjerë rreth botës së muzikës, ai kësaj radhe kishte lejuar që vajza e tij të përballojë këto sfida si një vajzë e fortë duke besuar në të.
‘’Babi nuk ka qenë me mua në studio. Për shkak se ai deshi që ta perballoj njëherë vet një sfidë të tillë dhe e dyta se ai kishte aq shumë emocione sa që nuk mundi t’me ndjek as nepermjet televizionit’’, ka përfunduar Elita Ziberi, për Klan Kosova.