Lajmet e fundit

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Byronë Kosovare të Sigurimit nënshkruan sot Memorandumin për mbulimin e kostos së sigurimit kufitar për palët që janë subjekt i policës kufitare.
Subjekt i kësaj marrëveshjeje janë të gjitha autoveturat dhe motoçikletat që hyjnë në pikat kufitare në Republikën e Kosovës për të cilat Qeveria e Kosovës mbulon 100% të vlerës së primit të policës kufitare.
Polica e sigurimit bëhet efektive në momentin e lëshimit dhe është valide një muaj nga data e lëshimit. Polica e sigurimit do të blihet në formë fizike në të gjitha pikat kufitare të shitjes të BKS-së.
Njëkohësisht, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë sot vendim për uljen e lartësisë së tarifës për 35%, e cila rrjedhimisht do të ndikojë edhe në uljen e kostos së përgjithshme.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet një akt simbolik në mbështetjen e mërgatës sonë, e cila shërben si shtyllë e ekonomisë së vendit. Vetëm gjatë vitit 2020, remitancat nga mërgata kanë kapur vlerën e më shumë se 1 miliard euro”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.