Në Prizren është vënë gurëthemeli i shtatores së veprimtarit e mendimtarit të shquar shqiptar Ukshin Hotit, në datëlindjen e tij të 73, pranë Universitetit që mbanë po të njëjtin emër, njofton Klan Kosova.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin shumë personalitete, politike e akademike të Kosovës, ndër ta edhe kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli.
Kryeparlamentari ka thënë se Ukshin Hoti ishte njeri i mendimeve të mëdha politike dhe një ideolog i fuqishëm.
“Studentë, duhet te jeni krenarë qe jeni studentë ne këtë Universitet, emri i te cilit tregon heroizëm mbarëkombëtar. Ukshin Hoti është pionier i mendimit politik”, ka thënë Veseli.
Ai ka pohuar se përkundër që ende nuk dihet për fatin e Hotit, “institucionet e Kosovës nuk do të pushojnë së kërkuari për të ditur se çfarë ka ndodhe me të”.
Veseli njoftoi edhe se një tjetër shtatore e Hotit do të ngitet tek Biblioteka Kombëtare në Prishtinë.
Për fatin e Profesor Hotit ka folur edhe djali i tij, Andini. Ai ka uruar që datëlindjen tjetër të babait ta festojë duke ditur të paktën se ku është i varrosur.
“Urime datëlindja babë. Sot është datëlindja e tij e 73-te. Uroj që vitin e ardhshëm këtë ditë ta festojmë së paku duke e ditur ku gjendet trupi i tij dhe ta kuptojmë se çka u bë me të”.
Ndërsa ministri i Drejtësisë dhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka pasur dy porosi, për profesorët dhe për studentët e Universitetit “Ukshin Hoti”.
“Rektor (Ramë Vataj) sa herë që hyni, kthejeni kohën shiheni këtë burrë e merrni frymëzim se si punohet. Dhe studentë, kaloni rreth tije, dijes se tije, sepse ai e ka dashur shumë rininë e shkollimin”.
Vet Rektori Ramë Vataj është shprehur shumë i kënaqur me ngritjen e shtatores, ndërsa ka thënë se Ukshin Hoti dhe vepra e tij është udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
“Sot është ditë e veçantë për ne”, ka thënë Vataj. “Sot është datëlindja e Ukshin Hotit dhe ne mendojmë se ai vetëm datëlindje duhet të ketë”.
klankosova.tv