Lajmet e fundit

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka pritur në takim rektorin e Kolegjit UBT, Edmond Hajrizin.
Në takim u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në mes të MPJD-së dhe UBT-së, duke identifikuar fushat me interes të përbashkët për bashkëpunim, njofton Klankosova.tv.
Gërvalla dhe rektori Hajrizi kanë diskutuar edhe për zhvillimet aktuale dhe krizën e përgjithshme që ka shkaktuar invazioni rus në Ukrainë.
Me këtë rast, në frymën e solidarizimit të përgjithshëm të Kosovës me popullin e Ukrainës, u arrit marrëveshja, përmes të cilës UBT-ja ofron studime falas për një numër të studentëve nga Ukraina, të cilët shprehin interesimin e tyre për të studiuar në Kosovë, me prani fizike apo përmes sistemit online.
Duke qenë se vetëm ofrimi i shkollimit falas nuk mjafton, ministrja Gërvalla dhe rektori Hajrizi, në takimin e sotëm, kanë diskutuar edhe për hapat e përbashkët që duhet bërë edhe me institucionet tjera, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të përkujdeset për strehimin e këtyre studentëve, ndërsa UBT-ja të ofrojë mësimin falas, në gjuhën angleze për ta.