Lajmet e fundit

Këtë të martë pritet të jepet edhe pretenca ndaj Klement Balilit, në procesin gjyqësor ku akuzohet për trafik droge, të paktën sipas parashikimeve të gjykatës.
Themi të paktën pasi, prokurori i Krimeve të Rënda që ka në dorë këtë çështje është gati ta japë atë, por nuk paraqitet as i pandehuri dhe as avokati i tij mbrojtës, siç ka ndodhur në dy seancat e mëhershme të muajit mars.
Siç ka vendosur Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në seancën e mëparshme, pretenca pritet të shpallet këtë të martë rreth orës 13:30 minuta.
Por, megjithëse prokurori i çështjes Eneid Nakuçi i ka konkluzionet dhe pretencën gati prej së paku dy seancash, nuk mundet të parashikojmë nëse ky proces i shpalljes së pretencës do të realizohet apo jo për Klement Balilin, raporton Tch, për sa kohë që në dy seancat e mëparshme nuk ka qenë e mundur diçka e tillë.
Klement Balili ka munguar gjatë dy seancave të mëparshme, sikurse edhe avokati i tij mbrojtës Theodhori Sollaku, i cili në njërën prej tyre paraqiti raport mjekësor, ndërsa në të dytin nuk dha asnjë justifikim për mungesën.