Sot, ne Prishtinë u mbajt me sukses Konferenca e 5-të e Shoqatës së Reumatologëve të Kosovës (SHRK), një ngjarje e rëndësishme për komunitetin mjekësor dhe shkencor në vend.
Në qendër të diskutimeve ishin dy prej sëmundjeve më të rëndësishme autoimune që prekin sistemin muskulor dhe atë imunitar: Lupusi Eritematoz Sistemik dhe Spondiliti Ankilozant, transmeton Klankosova.tv.
Konferenca mblodhi bashkë reumatologë, specialistë të shëndetësisë dhe profesionistë të fushës, duke ofruar mundësi për shkëmbim të njohurive, përvojave dhe praktikave më të fundit. Aktiviteti është akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, duke u njohur pjesëmarrësve me 12 pikë aktive dhe 10 pikë pasive për zhvillim profesional.
Këshilli organizativ-shkencor i konferencës përfshinte emra të njohur të fushës së mjekësisë si; Prof. Dr. Ali Lahu, Dr. Avni Kryeziu, Mr. Sci, Dr. Diellor Rizaj, Mr. Sci., Dr. Linda Jerliu, Mr. Sci., Dr. Jehona Ismaili, PhD Cand., Dr. Besim Luri, Dr. Samire Ramadani, Dr. Kreshnik Grezda, Dr. Drita Sifra dhe Dr. Arton Shala.
Përmes kësaj konference, Shoqata e Reumatologëve të Kosovës synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe edukimin mjekësor në vend, si dhe të mbështesë trajtimin më efektiv të pacientëve me sëmundje reumatologjike.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.