Në referendumin për ndryshimet kushtetuese në Turqi, kanë pasur të drejtë të votojnë edhe turqit e Kosovës.
Nga gjithsejtë 707 vota të vlefshme 404, apo 57.14 për qind të votave kanë qenë pro ndryshimeve që e shndërrojnë Turqinë nga një vend Parlamentar në Presidencial.
Ndërsa 303, apo 42.86 për qind kanë votuar kundër.
Ndryshe nga Kosova, turqit e Shqipërisë kanë votuar “Jo”, me 58.2 për qind, apo 213 vota, ndërsa pro ndryshimeve votuan 153 veta, apo 41.8, njofton Klan Kosova.
Ndërsa, nga rezultatet e deritanishme kur janë numëruar rreth 96 për qind të votave të përgjithshme, 51 për qind kanë votuar pro ndryshimeve të cilat e fuqizojnë, Recep Tayyip Erdogan-in dhe mund ta lënë atë në pushtet deri në vitin 2029, ndërsa 49 për qind kanë votuar kundër.
Mbështetësit e Erdogan-it thonë se ndërrimi i sistemit parlamentar me atë Presidencial do ta modernizojë vendin, por kundërshtarët frikësohen se kjo mund të çojë në autoritarizëm.
Dalja në referendum ka qenë shumë e madhe, shkruan BBC.
Ndërsa, sipas raportimeve tre veta janë qëlluar për vdekje në provincën Diyarabakir në jug-lindje, pas një mosmarrëveshje për mënyrën e votimit.
Kurse për të votuar të drejtë vote kishin 55 milionë persona, në 167.000 vendvotime.
Këto ndryshime do jenë ndryshimet më të mëdha kushtetuese prejse Turqia funksionon si Republikë, njofton Klan Kosova.
Sistemi i ri do ta zvogëlojë rolin e kryeministrit dhe do ta koncentrojë fuqinë në duart e presidentit, duke vënë kështu të tërë administratën shtetërore në kontroll të tij.
klankosova.tv