Lajmet e fundit

Mëngjesin e së enjtes në mënyrë të befasishme janë arrestuar krerët dhe profsorët e Institucioneve Arsimore “Gulistan” dhe kolegjit “Mehmet Akif”.
Zëvendësdrejtori i këtij institucioni, Yusuf Karabina është arrestuar gjatë rrugës sa ishte duke shkuar në punë, në prani të familjarëve të tij.
Në këtë aksion policor janë arrestuar edhe dy profesorë Cihen Ozkan dhe Hasan H. Gunakan si dhe Drejtori i Kolegjit në Gjilan, Kahraman Demirez.
Drejtori Gjeneral i "Gulistan", Mustafa Erdem ishte arrestuar kur kishte shkuar në polici për të marrë informacione për të lartëpermendurit.
Gjithashtu sipas mediave turke është bërë e ditur se është arrestuar edhe profesori turk i kardiologjisë, Osman Karakaya, i cili ishte larguar nga Turqia ngase ishte i përndjekur nga qeverisja Erdogan në Turqi.
Qeveria në Turqi pretendon se Institucionet Arsimore “Gulistan”, të cilat operojnë me katër shkolla fillore dhe të mesme “Mehmet Akif” në Kosovë, janë të lidhura me lëvizjen e Fetullah Gulen. Ky i fundit akuzohet nga qeveria e Recep Tayyip Erdogan se kishte organizuar puçin e 2016’ës në Turqi.
Gjashtë të arrestuarit tashmë kanë arritur në Turqi ku pritet të dalin para organeve të drejtësisë.
Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka njoftuar se në bazë të mandatit të saj për zbatimin e ligjit për të huajt, ka revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit e arrestuar të Turqisë.
Megjithatë në bazë të disa dokumenteve, leje qëndrimi të lëshuara nga Republika e Kosovës respektivisht, të arrestuarit kanë leje qëndrimi edhe për ca kohë.
Më poshtë mund të shihni dokumentet e siguruara nga Klan Kosova dhe datat e skadimit të tyre. /klankosova.tv/
Drejtori Gjenral Mustafa Erdem, kishte leje qëndrimi deri më 06.04.2018

Zëvendësdrejtori Yusuf Karabina, kishte leje qëndrimi deri më 03.08.2022

Drejtori i Shkollës në Gjilan Demirez Kahraman, kishte leje qëndrimi deri më 23.02.2021

Profesori Hasan Huysein Gunakan, kishte leje qëndrimi deri më 03.01.2022

Profesori Cihan Ozkan, kishte leje qëndrimi deri më 21.09.2018
