Lajmet e fundit

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Turqia ka zhvilluar bisedimet e para me talibanët në Kabul, duke njoftuar se Ankaraja është ende duke vlerësuar ofertën e grupit të armatosur për të ndihmuar në operacionin e evakuimit në aeroportin ndërkombëtar.
Ai tha se diskutimet u mbajtën në një strukturë ushtarake në aeroportin e Kabulit, ku ambasada e Turqisë është vendosur përkohësisht, njofton Klan Kosova.
“Ne kemi zhvilluar bisedimet tona të para me talibanët, të cilat zgjatën tri orë e gjysmë”, u tha Erdogan gazetarëve.
"Nëse është e nevojshme, ne mund të zhvillojmë përsëri bisedime të tilla".
Turqia si anëtare e NATO-s kishte qindra trupa në Afganistan si pjesë e misionit të aleancës dhe ishte përgjegjëse për sigurinë e aeroportit gjatë gjashtë vjetëve të fundit, shkruan Al Jazeera.
Duke iu përgjigjur kritikave të brendshme lidhur me angazhimin e Turqisë me grupin e armatosur, Erdogan tha se Ankaraja "nuk e kishte luksin" të qëndronte duarkryq në rajonin e paqëndrueshëm.
"Ju nuk mund të dini se cilat janë pritjet e tyre ose cilat janë pritjet tona pa folur. Çfarë është diplomacia, miku im? Kjo është diplomaci”, tha Erdogan.