Lajmet e fundit

Kryeministri Ahmet Davutoglu zhvilloi një takim, që zgjati rreth një orë e gjysmë në Ankara, me kreun e CHP-së, Kemal Kilicdaroglu, në atë që konsiderohej si përpjekja e fundit për dakordësimin e një koalicioni të madh, pas disa javë bisedimesh mes palëve.
“Rezultati është negativ, siç mund ta keni marrë vesh”, tha një zyrtar i CHP-së për "Reuters", pa dhënë detaje të mëtejshme.
Partia turke në pushtet AK do të përpiqet të sigurojë një marrëveshje për koalicion me opozitarët nacionalistë të MHP-së, por një zyrtar i lartë i partisë së themeluar nga Erdogan tha se mundësitë e një marrëveshjeje të tillë janë “tepër të vogla” dhe se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në nëntor është tepër e mundshme.
Davutoglu, me të mbaruar takimin, është shprehur se “do të preferonte që zgjedhjet e parakohshme të zhvilloheshin sa më shpejt të ishte e mundur” dhe u justifikua ndaj raporteve false, siç i quajti ai, se “ekziston perceptimi, që Presidenti Tayyip Erdogan nuk dëshiron një koalicion”.