Presidenti amerikan, Donald Trump tha të premten se ka dhënë urdhër që dy nëndetëse bërthamore të lëvizin në "rajonet e duhura" në përgjigje të asaj që ai e quajti "deklarata shumë provokuese" nga nënkryetari i këshillit të sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev.
Trump njoftoi këtë veprim në një postim në platformën e tij të mediave sociale. Ai nuk specifikoi në postim saktësisht se ku do të shkonin nëndetëset, ose çfarë aftësish kanë ato, shkruan ABC News, transmeton Klankosova.tv.
"Bazuar në deklaratat shumë provokuese të ish-presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili tani është Zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, kam urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e duhura, në rast se këto deklarata budallaqe dhe nxitëse janë më shumë se kaq", shkroi Trump.
"Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara, shpresoj se ky nuk do të jetë një nga këto raste". shtoi ai.
Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth ripostoi deklaratën e Trump në X.
Më herët këtë javë, Medvedev, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, akuzoi Shtetet e Bashkuara se po luajnë një “lojë ultimatumesh” në përgjigje të njoftimit të Trumpit se ai kishte shkurtuar një afat prej 50 ditësh për Rusinë për të ndaluar luftën e saj kundër Ukrainës në 10 ditë.
Në faqen e tij në X të 28 korrikut, Medvedev shkroi se “çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës”.
Ai më tej i kërkoi Trumpit të mos “ndiqte rrugën” e ish-Presidentit të ShBA-së Joe Biden, të cilin Moska e kishte akuzuar shumë herë për përshkallëzimin e tensioneve me Rusinë. /Klankosova.tv
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.