Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, ka zgjedhur senatorin Jeff Sessions, një konservativ nga Alabama, që gjatë kampanjës u bë këshilltar i afërt i Trump, Prokuror të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan New York Times, duke u bazuar në zyrtarë të afërt të ekipit transitor të Trump, njofton Klan Kosova.
Sessions ishte favorit edhe për pozitën e Sekretarit të Mbrojtjes (Ministrit të Mbrojtjes), duke shkaktuar kështu debat brenda ekipit transitor të Trump se cilën detyrë duhet ta marrë ai.
Sessions, një ish-prokuror i zgjedhur në Senat në vitin 1996, është pjesë e Komisionit për Drejtësi, dhe ka kundërshtuar reformën e migrimit dhe po ashtu edhe propozimin për të ulur dënimet me burgim.
Derisa po shërbente si prokuror i SHBA-ve në Alabama, Sessions ishte nominuar në vitin 1986 nga Presidenti Ronald Reagan, gjyqtar federal.
Por, nominimi i tij ishte refuzuar nga Republikanët që kontrollonin Komisionin e Drejtësisë në Senat. Ata e kishin bllokuar duke e akuzuar për veprime dhe komente raciste.
Në dëshmitë e tyre para Komisionit, ish-kolegë të Sessions, kishin thënë se ai iu kishte referuar si “jo-amerikan”, disa grupeve që luftonin për të drejta civile.
Po ashtu, një ish-prokuror federal afro-amerikan, Thomas Figures, kishte dëshmuar se Sessions kishte thënë se grupi me bindje fashiste dhe raciste që vepron në Amerikë “Ku Klux Klan”, është në rregull, “veçse keq që thithin bar”.
Sessions kishte thënë se këto komente i ka bërë por vetëm si shaka.
Sessions ishte akuzuar edhe se kishte folur me përçmim për “Aktin e të Drejtave të Votimit”, njofton Klan Kosova.
klankosova.tv