Lajmet e fundit

Zhvillohet në Lushnjë edicioni VIII i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore Burimore 2015.
Për tri ditë me radhë në qendrën kulturore “Vaçe Zela” të qytetit të Lushnjës nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike në bashkëpunim me bashkinë e qytetit është zhvilluar edicioni VIII i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore Burimore 2015.
Sipas drejtores së Qendrës Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, Meri Kumbe, “Ky festival organizohet në bazë qarqesh dhe nga çdo qark hyn në programin e konkurrimit një grup valleje popullore”.
“Në bazë të kritereve shkencore të miratuara bashkërisht nga ana e qendrës sonë në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit dhe Ministrinë e Kulturës, interpretimet duhet të jenë krejtësisht burimore dhe çdo interpretim i grupeve pjesëmarrëse nuk duhet të zgjasë më nga 20 min”, thotë Kumbe.
Në dy edicionet e fundit Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore Burimore është organizuar me nga 6 qarqe për çdo edicion, kështu vitin e kaluar kanë marrë pjesë 6 qarqe të vendit, ndërsa këtë vit marrin pjesë dhe konkurrojnë 6 qarqet e tjera.
Kjo ndarje sipas organizatorëve bëhet me qëllim përfaqësimin më të plotë dhe më me nivel të vlerave burimore të valleve. Në natën e parë të edicionit VIII u përfshinë në konkurrim tre grupet folklorike të valles nga qarqet: Elbasan me 24 valltarë, Dibër me 25 artistë popullorë dhe Qarku Lezhë me 25 valltarë.
E veçanta e këtij festivali tipologjik është se pranohen të interpretojnë jashtë konkurrimit edhe shumë grupe valltarësh nga grupet folklorike, ansamblet dhe qendrat kulturore brenda vendit dhe nga trojet shqiptare jashtë vendit.
Në natën e parë përshëndetën festivalin grupi nga Tirana “Visaret e Kërrabës” drejtuar nga folkloristi Ilir Selba, grupet e ftuara nga Maqedonia, grupi i valleve nga Çegran, grupi shoqërisë kulturore “Jahi Hasani” nga Gostivari.
Në natën e dytë konkurruan grupet e valleve nga qarqet, Gjirokastër i përfaqësuar nga grupet e valleve të Bashkisë Dropull dhe ai i valles labe nga Antigonea, Kukësi përfaqësuar nga grupi i valleve të Hasit dhe grupi i valleve i Qarkut të Durrësit.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/10/26/tri-dite-me-vallen-shqiptare/