Lajmet e fundit

Ndërmarrja Trepça edhe këtë vit ka mbajtur konferencën përmbyllëse me gazetarë, me ç’rast është prezantuar puna e suksesshme njëvjeçare dhe angazhimi i punëtorëve të Trepçës gjatë vitit që tashmë po e lëmë pas, njofton Klan Kosova.
Drejtori i Ndërmarrjes Trepça, Ahmet Tmava tha se sukseset e Trepçës janë të punëtorëve, dhe se viti 2016 ishte shumë i suksesshëm pasi që është kurorëzua edhe statusi i Trepçës, ligji që tash është edhe në fuqi.
Ndërsa në aspektin financiar, Tmava tha se ky vit ishte më i mirë se viti i kaluar.
“Ky vit është 109% më i mirë se viti i kaluar. Për herë të parë dihet një balancë pozitiv i cili ka ardh si rezultat i kursimeve të shumta dhe punëtorëve të angazhuar në Trepçë”.
“Vitin 2016 po e përmbyllim suksesshëm. Sot ndihemi shumë mirë që në aspektin financiar dhe të punës, Trepça tregon gatishmëri për të marrë përgjegjësi dhe punë tash pas aprovimit të ligjit”.
Ndër të tjerash, Tmava tha se ndjehet mirë pasi që këtë vit asnjë punëtor nuk ka vdekur dhe asnjë prej tyre nuk është lënduar, njofton Klan Kosova.
Ndërsa pyetjes se si do të inkuadrohet pjesa e veriut të Trepçës tash pas miratimit të ligjit për Trepçën, Tmava iu përgjigj: “Është realitet , ligji për Trepçën e njeh këtë institucion si tërësi. Në asnjë alternativ Trepça nuk shikohet si pjesë, por si tërësi. Për neve çdo gjë është e përfunduar. Rezervat e xeherorëve në territorin e Kosovës janë të Kosovës që menaxhohen nga Trepça”.
Tmava foli edhe për kushtet e punëtorëve.
“Në 2017-ën do të punojmë në përmirësimin e kushteve për punëtorët, jemi duke punuar në përmirësimin e kuzhinës dhe kushteve të tjera të mirëqenies së punëtorëve në atë pjesë. Edhe njëherë falënderoj punëtorët që pavarësisht të gjitha kushteve, kanë arritur që ky vit të përmbyllet suksesshëm”.