Lajmet e fundit

Ka 12 vjet që Trepça nuk u auditua.
Por ndërmarrja nga e cila pret shumë Kosova, nuk do të mund të shpëtojë më nga ky proces.
Zyra Kombëtare e Auditimit tha se do ta analizojë performancën financiare dhe operative të gjigandit i cili nuk po përparon, duke pas për fillim vitin 2019.
Arsye për këtë u thanë të jenë produktiviteti i ulët, operimi me humbje, pajisjet e vjetra, mungesa e investimeve e stafi i vjetër.
"Objektiv i këtij auditimi është të vlerësojë nëse "Trepça" është duke e zhvilluar aktivitetin operativ dhe financiar me fokus procesin e prodhimit me synimin e arritjes së performancës financiare pozitive, nëse jo, cilët janë shkaktarët që ndikojnë në produktivitetin e ulët, mungesën e rentabilitetit, respektivisht profitabilitetit", thuhet në njoftimin e ZKA-së.
Ishte qeveria që i kërkoi Zyrës në fjalë të merret me Trepçën dhe KEK-un, qysh gushtin e kaluar.
Kryeshefi i Trepçës, Enis Abdurrahmani, tha se nuk mund të prononcohet për këtë temë.
Por auditimin po e mirëpresin punëtorët, si aksionarë të 20%-shit të Trepçës.
Trepça u shndërrua në ndërmarrje publike gjatë qeverisë së Isa Mustafës, më 2016.