Lajmet e fundit

Autore: Blerta Ahmeti
Inspektorati Qendror i Punës ka marrë një vendim për të dënuar me gjobë prej 800 eurove Ndërmarrjen Trepça Sh.a, meqë kjo e fundit e kishte fshehur nga inspektorati, lëndimin në vend të punës, të punëtores Valdete Shabani, i cili kishte ndodhur më 27 mars të këtij viti.
Sipas Ligjit Nr. 04/L-161, neni 23 paragrafi 1, punëdhënësi ka detyrim ligjor që menjëherë të raportojë çdo aksident me pasojë lëndimin e punëtorit. Ky detyrim nuk është respektuar nga Trepça Sh.A.
“Punëdhënësi është përgjegjës për shkeljen e dispozitës së Ligjit për Siguri dhe Shëndet në punë – Në rastet kur ka ndodhur aksidenti me pasojë lëndimin apo vdekjen e të punësuarit, punëdhënësi është i detyruar të lajmërojë menjëherë inspektoratin e punës”.
Trepça mund të ketë tentuar ta fshehë, por ky vendim ka ardhur pasi që Valdete Shabani e kishte raportuar vetë rastin në Inspektorat të Punës.
Në ankesë ajo ka sqaruar se lëndimi i kishte ardhur si pasojë e ndërrimit të vendit të punës nga menaxhmenti ndërmarrjes dy herë, pa e pyetur dhe pa i konsultuar nevojat e saj fizike të kufizuara.
Por - pas inspektimit të vendit të ngjarjes dhe shqyrtimit të dokumentacionit relevant të prezentuar, Inspektorati ka vlerësuar se Ndërmarrja Trepça Sh.a duhet të gjobitet vetëm pse nuk e ka njoftuar inspektoratin për lëndim të punëtorit në vendin e punës e jo edhe për lëndimin në vend të punës.
I kontaktuar nga Klan Kosova, Gazmend Berisha, Inspektor për Siguri dhe Shëndet në Punë, në Inspektoratin Qendror të Punës, nuk ka dashur të tregoj pse nuk është Trajtuar faqe çështja e lëndimit në punë por vetëm mos njoftimi i Trepçës për lëndim në punë të punëtores.
“Unë e kam trajtuar lëndën në mënyrë profesionale, i kam konstatimet e ekspertëve që i kanë nxjerrë në vendin e punës. Valdetja ka kërku me u kthy në punë, këta ja kanë nxjerrë vendimin, e kanë kthyer. Nëse je e interesuar për lëndë, mund të vini në zyrë dhe ta shihni, unë jam i hapur për bashkëpunim”, ka deklaruar për Klan Kosova, përmes telefonit, Gazmend Berisha, Inspektor për Siguri dhe Shëndet në Punë, në Inspektoratin Qendror të Punës.
Në ankesën e saj, dorëzuar më 29 shtator të këtij viti, Valdete Shabani ka deklaruar se kushtet e punës në vendin e punës ku i ndodhi aksidenti duke shkaktuar lëndim të këmbës nga një bulon i madh, në depon Dorcake, në Njesinë Biznesore Miniera me Flotacion në Kishnicë dhe Artanë – i ka katastrofale.
“Incidenti i datës 27.03.2025 – pavarësisht incidentit që kam pasur në këtë vend të punës unë vazhdoj të ekspozohem ndaj kushteve të pasigurta dhe padrejtësive të vazhdueshme”, është një nga tri pikat, në të cilat Valdetja ka listuar kushtet e punës, si dhe transferet e vendeve të punës, të cilat janë konstatuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë si të paligjshme.
Çka ndodhi me Valdete Shabanin?
Së fundi, më 24 nëntor, menaxhmenti i Ndërmarrjes Trepça kishte nxjerrë një vendim për të “larguar përkohësisht” nga puna Valdete Shabanin, me arsyetimin se “ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës” të parapara në rregullore për përgjegjësi disiplinore dhe materiale të ndërmarrjes.
Sepse, sipas tyre, Valdetja ka “Keqpërdorur pozitën dhe ka tejkaluar autorizimet e dhëna” dhe ka “kërcënuar apo fyer kolegët apo persona të tjerë në objektet e punës”.
Valdete Shabani punon në “Trepçë” që 11 vjet, dhe prej vitit 2015 ka ushtruar detyrën e Shefes së Shërbimit Logjistik dhe Administrativ në Flotacionin e Stantërgut.
Por situata ndryshoi në gusht të vitit 2024, kur Faton Ahmeti mori detyrën e Kryeshefit të Ndërmarrjes. Vetëm në javët e para të mandatit, ai ndryshoi vendet e punës për rreth 60 punëtorë, duke thënë se “ndryshimet do të rrisin prodhimin”. Brenda një viti e tre muaj, numri i transferimeve ka kaluar shifrën 100.
Në grupin e parë të këtyre ndryshimeve ishte edhe Valdete Shabani. Më 3 shtator 2024, ajo u transferua nga Stantërgu në Metalurgjinë e Zinkut, në një pozitë që nuk kishte ekzistuar më parë – Zyrtare e Logjistikës.
Ajo e ankimoi menjëherë vendimin, duke theksuar edhe arsyet shëndetësore. Më 17 shtator Komisioni i Ankesave e refuzoi kërkesën si të “pabazuar”.
Pas intervenimit kirurgjik në Gjermani, ajo kategorizohet si person me nevoja të veçanta dhe nga ajo kohë është edhe pjesë e Hendikosit në qytetin e Mitrovicës Jugore.
Një muaj nga transferi i parë, Valdetes i vjen vendimi për transferin e dytë.
Me arsyetimin e nevojës për ristrukturim dhe organizim të punëtorëve të Ndërmarrjes Trepça, më 14 tetor, Kryeshefi Ahmeti merr vendim për transfer të Valdete Shabanit në Njesinë Biznesore Miniera me Flotacion në Kishnicë dhe Artanë, si Udhëheqës e Depos Doracake.
Edhe këtë vendim, Valdetja e ankimoi në Komisionin e Ankesave por përgjigja ishte e njëjtë si herën e parë. Refuzohet si e pa bazë.
Të dy vendimet e menaxhmentit për transferet e saj, Valdetja i ka dërguar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, përmes një padie.
Kjo gjykatë, në aktgjykimin e datës 13 janar të këtij viti, kishte vendosur që ta aprovojë në tërësi padinë e Valdete Shabanit e cila ka kërkuar që të anulohen dy vendimet e Trepçës për ta transferuar në vende të tjera të punës dhe ta rikthejnë në vendin e punës të cilin e zotëronte para këtyre vendimeve. Gjykata ka kërkuar që këto vendime të anulohen dhe ka obliguar Ndërmarrjen Trepça që Valdeten ta rikthej në vendin e punës si Shefe e Shërbimit logjistik dhe administrativ, 7 ditë pas pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të obligueshëm.
Por ndërmarrja e ankimoi vendimin, dhe rasti prej 9 muajsh është në Gjykatën e Apelit, ende pa vendim përfundimtar.
Në ndërkohë, pavarësisht procesit gjyqësor në vazhdim, menaxhmenti ka marrë sërish vendim për transferimin e saj në të njëjtin vend që më herët gjykata e kishte kontestuar.
Përveç sfidave ligjore, në mars 2025, Valdete Shabani pësoi një lëndim në vendin e punës në Kishnicë, kur një bulon i madh i ra në këmbën e djathtë.
Edhe për këtë ngjarje, ajo ka njoftuar organet përkatëse dhe e ka përfshirë rastin në ankesat e saj ndaj ndërmarrjes.