Lajmet e fundit

Demarkacioni dështoi edhe njëherë...për të tretën herë me radhë.
Në seancën e djeshme e cila nisi me më shumë se një orë me vonesë, sërish dolën probleme lidhur me këtë çështje.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, hapi seancën e jashtëzakonshme duke kërkuar shmangie nga procedurat e rregullta për të vazhduar tutje.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti prezantoi tekstin e projektligjit, për të cilin ishin dakorduar me koalicionin qeverisës.
Kështu, Komisioni për Punë të Jashtme, u mblodh për ta amandamentuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, sipas kësaj ujdie.
Kështu, seanca e jashtëzakonshme e cila u paralajmërua se do të vazhdonte pasi Komisioni të kryente punën, nuk vazhdoi.
Me dakordimin e të gjitha grupeve parlamentare, ajo u shty për një ditë tjetër.
Por, Kuvendi pati edhe dy tentativa të tjera për ta kaluar këtë marrëveshje ndërkombëtare.
Edhe seanca e të enjtes së kaluar nisi dy orë me vonesë ku shkas për këtë u bë mungesa e votave nga ana e Listës Serbe.
Një problem më tepër u shtua, kur u mor vesh se as LDK-ja nuk do të përkrahë ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, nëse pjesë e atij ligji bëhet edhe raporti i Shpejtim Bulliqit.
Kjo u bë arsye që shefat e grupeve parlamentare ishin mbledhur në një takim te kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Pas këtij takimi, kryekuvendari kumtoi lajmin se seanca do të shtyhet.
As në seancën e 23 shkurtit, situata nuk ndryshoi shumë.
Edhepse u tha se ishte arritur marrëveshje mes partnerëve të koalicionit dhe LDK-së, këta të fundit nuk u pa se e kishin ndërruar mendjen rreth përfshirjes së raportit të Shpejtim Bulliqit në ligj.
Kështu në mungesë të konsensusit, pas një konsultimi me shefat e grupeve parlamentare, ku mungoi vetëm Glauk Konjufca i Vetëvendosjes u vendos që kjo seancë e jashtëzakonshme të zhvillohet sot.
Por si u rikthye Demarkacioni edhe njëherë në qendër të vëmendjes?
Gjithçka nisi me një deklaratë të përbashkët mes presidentit kosovar, Hashim Thaçi dhe atij malazez, Filip Vujanoviq.
Se u nënshkrua kjo deklaratë e bëri publik presidenti i vendit në një konferencë për media, njofton Klan Kosova.
Kështu projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi u rikthye në Qeveri e Kuvend.