Lajmet e fundit

Këndonte.
Vallëzonte.
Aktronte.
Asnjëherë nuk mbetej i njëjtë.
Si rrallë ndonjë artist tjetër, kishte aftësi për ta rigjetur veten brenda ndryshimit të vazhdueshëm të stileve dhe dukjeve.
David Bowie la trashëgimi prej 25 albumeve, të cilët janë shitur në 140 milionë ekzemplarë, por gjithashtu edhe 51 video spote, 34 filma dhe shumë piktura, njofton Klan Kosova.
Albumi i tij më i famshëm ishte Ziggy Stardust, i cili vitin 1972 e shndërroi në kult.
Ditëlindjen e fundit e festoi para tri ditësh me publikimin e albumit “Blackstar”.
Bowie vetëmodifikohej në çdo kontekst, duke u dhënë gjeneratave të artistëve shembuj të pafundmë të fuqisë së imazhit, dramës dhe personazheve.
Muzika e tij nuk mund të kategorizohet në një fushë të vetme – ajo ishte përzierje e popit, rockut, dhe xhazit, kurse vetë ishte kumbar i glam-rockut.
Këngët e tija potenconin jashtësinë, “Të huajin”, “Tjetrin”... - individin që nuk pranon t’iu përshtatet rregullave të imponuara nga shoqëria dhe sistemi.
David Bowie vdiq në moshën 69 vjeçare.
Bota e humbi një ikonë të artit bashkëkohor.
Kronikë nga Klan Kosova.