Ivan Todosijeviq nuk u paraqit në burgun e Mitrovicës në mesditë këtë të mërkure kur qe edhe afati i fundit për të nisur ekzekutimi i sanksionit penal, dënimi prej 2 vjetësh i cili iu dha për nxitje të urrejtjes e përçarjes duke e quajtur trillim masakrën e Reçakut.
I njëjti as nuk do të arrestohet, tash për tash, sepse Themelorja e pranoi kërkesën e avokatit të tij Nebojsha Vlajiq për ta shtyrë ekzekutimin e dënimit me arsyen se i njëjti ndodhet jashtë vendit.
“Ju njoftojmë se me kërkesë të mbrojtësit të të dënuarit I.T. është shtyrë data e paraqitjes për vuajtje të dënimit.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Nga gjykata nuk kanë treguar afatin e radhës kur Ivan Todosijeviq duhet të paraqitet në burg, e as mbi çfarë baze është marrë vendimi. E arsyetimi se i njëjti ndodhet jashtë Kosovës, nuk ndodhet në listën e arsyetimeve pse një i dënuar mund të kërkojë t’i shtyhet ekzekutimi i vuajtjes së dënimit.
Klan Kosova raportoi një ditë më parë si Todosijeviq është arratisur nga Kosova. Televizioni mëson edhe se policia e ka kërkuar dy herë Todosijeviqin gjatë së martës në shtëpinë e tij në Zveçan por i njëjti nuk ndodhej aty.
Kjo arratisje vjen pas paralajmërimit të serbëve për protesta nëse i njëjti nis burgimin, dhe kjo nuk është hera e parë që një serb i ikë drejtësisë kosovare.
Nuk pati pasur vendim të prerë gjyqësor për dënim megjithëkëtë shefi i operativës policore në veri Zheljko Bojiq u pati ikur duarsh njësive speciale të Kosovës mëngjesin e 16 tetorit 2019.
Bojiq kërkohej për t’u arrestuar si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Sot e kësaj dite Bojiq ndodhet në arrati dhe ndaj tij ka urdhërarrest ndërkombëtar.
Një të tillë në Gusht 2020, gjykata e kishte lëshuar edhe ndaj Milan Radojiqiq. Por ky nuk ka nevojë më të fshihet pasi kriminelit të njohur si Mica iu tërhoq urdhërarresti në Shkurt 2021 me arsyen se veprat penale për të cilat dyshohet duhet hetuar më mirë.
Edhe Radojiqiq e Zvonko Veselinoviq poashtu dyshohet që veç tjerash, të kenë gisht edhe në ekzekutimin e Ivanoviqit.
https://www.youtube.com/watch?v=oFDi_CiJMjE
●●●
LISHKRIMI NGA
L I
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.