Lajmet e fundit

Në Info Magazinen e sotme është duke u diskutuar në lidhje me vendimin e Kuvendit të Kosovës për vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë.
Për këtë çështje është duke u debatuar me juristët Bajram Tmava dhe Vigan Qorrolli.
Tmava vendimin për vazhdimin e mandatit të EULEX-it po e cilëson si një lajm të mirë për Kosovën.
“Ratifikimi i marrëveshjes për vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë, është lajm i mirë për vendin dhe për popullin e Kosovës”.
Ai ka thënë se vendimi për vazhdimin e mandatit të këtij misioni është dashur të kryhet më herët.
“ Edhe politika kosovare edhe kuvendi, janë vonuar në shqyrtimin e ligjit për mandatin e EULEX-it”.
“Kjo për shkak se letra e presidentit është dërguar në minutën e fundit dhe krejt vonë është diskutuar se si do të duket EULEX-i. Kjo çështje është dashur të shqyrtohet më herët”.
Tmava ka thënë që nëse misioni i EULEX-it nuk do të vazhdohej atëherë drejtësia kosovare nuk do të ishte e gatshme të ballafaqohet e vetme.
“Ende nuk e dimë se në çfarë baza do të vazhdohet mandati i EULEX-it. Kemi akoma nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë të kalibrit të tillë. Kjo për shkak se një pjesë e Gjyqësorit të Kosovës dhe e Prokurorisë së Kosovës, nuk është e gatshme të ballafaqohet me raste të shumta”.