Lajmet e fundit

Janë liruar aktivistët të cilët u shoqëruan në ambientet e Komisariatit nr. 1, të cilët protestuan sot kundër ndërtimit të parkut te Liqeni Artificial i Tiranës.
Ndërkohë në ambientet e komisariatit numër 1 kanë shkuar edhe deputetë të PD-së, Arben Ristani dhe Flamur Noka, por protestuesit kanë kundërshtuar praninë e tyre, duke u shprehur se nuk kërkojnë politizim të çështjes.
Një tjetër përplasje ka ndodhur pranë Komisariatit numër 1, ku policia tentoi të zhvendosë protestuesit të cilët kanë bllokuar rrugën përpara komisariatit.
Aktivistët kanë bllokuar rrugën para komisariatit nr.1, ndërkohë që Shefi i Komisariatit ka kërkuar zhbllokimin e rrugës në mënyrë që të lejohet hyrja dhe dalja e automjeteve nga komisariatit.
Pas refuzimit të aktivistëve policia ka përdorur forcën për zhvendosjen e tyre, duke shoqëruar 4 prej tyre në komisariat.
Aktivistët shprehen se janë të vendosur t’i shkojnë deri në fund kauzës së tyre.
Ata janë ulur këmbëkryq para komisariatit nr. 1 dhe shprehen se nuk do të lëvizin prej atje deri në lirimin e shokëve të tyre që u shoqëruan paradite nga policia pas protestës te Parku i Liqenit./Shekulli.al