Lajmet e fundit

Nga gjithsej 1000 pikë, nxënësit e Kosovës kanë marrë 444 pikë në matematikë.
E në shkencë të njëjtit morën 413 poena që i bie 87 sosh më pak sesa mesatarja ndërkombëtare.
Përveç këtyre rezultateve nga testimi ndërkombëtar TIMSS, të cilit Kosova iu nënshtrua vjet për herë të parë, ky mekanizëm vlerësues nxori në pah edhe gjetje të tjera.
Sipas tyre, mësimdhënësit kosovarë janë më të kënaqurit në botë me profesionin e tyre.
Prindërit kosovarë renditen në vendin e pestë në botë për perceptimin shumë të mirë të shkollës, derisa sipas vetëbesimit në aftësitë e tyre në matematikë nxënësit kosovarë renditen në vendin e pestë.
E këto vlerësime, TIMSS i nxori sipas pyetësorëve që kanë plotësuar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit në periudhën kur është mbajtur testimi.
Megjithatë, në përgjigjet që të lartëpërmendurit kanë dhënë, njohësi i arsimit Rinor Qehaja ka dyshime pasi, sipas tij, ky vetëbesim bie ndesh me arritshmëritë e tyre në vlerësimet ndërkombëtare.
Megjithatë, mësuesit besojnë se kolegët e tyre pyetësorin e kanë mbushur ashtu si janë ndier.
Testi TIMSS konsiderohet i barasvlershëm me PISA-n dhe me ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e politikave arsimore të vendeve që i nënshtrohen.