Lajmet e fundit

Në orën 10:00 të së dielës, salla plenare e Kuvendit të Kosovës pritet të mbushet me ata të cilët morën besimin qytetar në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deputetët e legjislaturës së 9-të janë thirrur në këtë seancë për të votuar për formimin e qeverisë së re.
Por, se a do të kemi qeveri apo jo, kjo mbetet për t’u parë – ndonëse shanset janë minimale (sqarohet më poshtë), raporton Klankosova.tv.
Kjo për faktin se partia e parë e dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, LVV, nuk i ka numrat e duhur për ta zgjedhur Albin Kurtin edhe për një mandat në krye të qeverisë.
Duke qenë në këtë pozicion, Kryesia e LVV-së është mbledhur mbrëmjen e sotme - si duket për të diskutuar mbi mundësitë që i ka para vetes.
Se një “Kurti 3” do të jetë vështirë i arritshëm, e thonë edhe partitë e ish-opozitës - PDK, LDK e AAK.
Ndërkaq, nga LVV-ja nuk kanë folur për çështjen nëse kanë arritur ndonjë marrëveshje me ndonjë prej partive parlamentare. Për më tepër, ishte vetë Kurti i cili para pak ditësh, në një tubim me mërgimtarë në Londër, e pranoi se mund të mos jetë në gjendje që të marrë në dorë edhe një herë ekzekutivin.
Në vazhdimësi, Lëvizja Vetëvendosje publikisht e ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa për LDK-në e ka lënë derën hapur për bashkëpunim potencial.
Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti/ja i/e Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.
I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t'i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe – në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.
Presidenti/ja shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.
Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.
Si janë shifrat?
Lëvizja Vetëvendosje fitoi 48 nga 120 vendet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e shkurtit, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 24 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20 vende dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - Nisma me 8 vende, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës - nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare, të njohura nga Kushtetuta e Kosovës: boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.
Për të zgjedhur një qeveri të re, mandatari duhet të sigurojë së paku 61 vota.
Më 20 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se ka ende kohë për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Qeverisë, por kritikoi Listën Serbe për “krijimin e pengesave”.
Lista Serbe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të kundërshtuar zgjedhjen e Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit dhe është në pritje të përgjigjes.
Nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pranon ankesën e Listës Serbe si të bazuar, në praktikë kjo do të thoshte se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar.
Kjo do ta bënte të pamundur ndërmarrjen e ndonjë hapi drejt formimit të Qeverisë dhe institucioneve të reja.
Më herët, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Listës Serbe se Kuvendi nuk është konstituuar pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.
Më pas u zgjodh Rashiq, sepse asnjë nga nëntë kandidatët nga Lista Serbe nuk arriti t’i siguronte votat e nevojshme.
Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, një kandidat për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb propozohet nga shumica e deputetëve nga ai komunitet - gjë në të cilët thirret edhe Lista Serbe në ankesën e saj.
Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve.
Kriza politike dhe institucionale lindi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb. /REL/Klankosova.tv