Lajmet e fundit

Sektori Minerar dhe Resurset Minerale të mërkurën ka bërë bashkë përfaqësues të kësaj leëmie nga Kosova e Shqipëria në konferencën ndërkombëtare që ka nisur sot.
Në këtë konferencë me theks të veçantë po diskutohen pasuritë e mineraleve që kanë të dyja vendet, njofton Klan Kosova.
Enis Aliku nga Ministria e Infrastrukturës e Shqipërisë deklaroi se të dyja vendet kanë pasuri të shumta nëntokësore veçse mungon iniciativa për t’i vënë në funksion mekanizmat që do të ndikonin në zhvillimin edhe të mëtutjeshëm të këtij sektori me çka do të ndikonte në terheqjen e investimeve nga jashtë.
Aliku deklaroi se qeveria shqiptare po punon në krijimin e politikave fiskale sa më të mira në sjelljen e investimeve nga jashtë.
Këto që tha bashkëvendasi i tij i mbështeti edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi i cili kërkoi që të dyja vendet të kenë bashkëpunim edhe më të madh në këtë fushë, njofton Klan Kosova.
Ndërkaq Musa Shabani nga Komisioni i pavarur për Miniera dhe Minerale deklaroi se zhvillimi i industrisë minerale ka rol me rëndësi në jetën ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Kosovës.
Shabani shtoi se ka progres në Kosovë në këtë sektor falë Ligjit për Investime Strategjike. Ai u shpreh i bindur se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës e Shqipërisë nuk do të mungojë asnjëherë në këtë fushë fort me rëndësi për ekonomitë e të dyja shteteve, njofton Klan Kosova.