Lajmet e fundit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se dialogu me Serbinë është në fazën përmbyllëse, që sipas tij, nuk do të jetë edhe aq e lehtë.
“Dialogu mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda shtetit tonë, por edhe me shtetet fqinje”.
“Në kuadër të angazhimit tim për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore, është përkushtimi ynë i përbashkët në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.
“Jemi gati për të vazhduar fazën përfundimtare të këtij procesi që do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe të përkrahet fuqishëm në SHBA-të”.
“Sigurisht, se kjo fazë përmbyllëse nuk do të jetë aspak e lehtë, për këtë qëllim, kam filluar konsultat formale dhe jo formale me partitë politike dhe shoqërinë civile me qëllim që të themelojmë një ekip të dialogut, unitetit për të siguruar gjithëpërfshirje në këtë proces”.
I pari i vendit në adresimin e tij të fundvitit para deputetëve ka bërë thirrje që të gjithë të bashkohen në këtë proces, njofton Klan Kosova.
“Edhe sot i bëj thirrje publike që të jemi të bashkuar në këtë proces dhe në çdo proces tjetër që është në interes shtetëror”.
“Sa herë jemi bashkuar, Kosova ka fituar dhe qytetarët tanë na kanë mbështetur, kështu duhet të jetë përsëri sepse e ardhmja e jonë, integrimi i shtetit në strukturat veri-atlantike varen në masë të theksuar nga ky proces”.
“Në çdo rrethanë ju siguroj se procesi i dialogut do të jetë transparent dhe çdo marrëveshje e arritut ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”.