Lajmet e fundit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për media është pyetur nga gazetarët për mundësinë e procedimit të Projektligjit për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, nga Qeveria (mbledhjen e sotme) për në Kuvend.
Por i pari i vendit ka thënë se nuk e ka një informatë të tillë, njofton Klan Kosova.
“E para, për këtë propozim, nëse është i vërtetë, presidenti i Kosovës nuk është i informar. Nuk besoj se janë të informuar as partnerët tanë, SHBA dhe NATO, sepse do të isha informuar edhe unë”.
“Por nëse është e vërtetë do të konsultohem në minutat e ardhshëm, për shkak të angazhimeve që kanë pasë lidershipi institucional dje”.
Thaçi megjithatë ka thënë se procedimi i këtij ligji për në Kuvend, në këtë moment, dallon nga rrethanat kur ai kishte propozuar për një gjë të tillë.
“Propozimi im dallon nga rrethanat aktuale. Kur unë kam propozuar, ka qenë një mbështetje e plotë e SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s, në vitin 2014 por për shkak të ngurtësisë, kokëfortësisë dhe egove elektorale nuk kemi arritur të kalojmë në Kuvend”.
“Tani rrethanat janë ndryshe. Ne kemi filluar tash e një kohë, pas iniciativës time bashkë me Bashkësinë Ndërkombëtare një proces të vetëdijësimit dhe kemi arritur një fazë shumë të rëndësishme të koordinimit sepse kur të themelohen Forcat e Armatosura të Kosovës duhet të jenë të mirëpritura dhe një proces i hapur dhe i sigurt dhe jo ndonjë veprim kokë në vete dhe të izolojë osë lëndojë rëndë misionin multi-etnik të FSK-së”.
“Kështu që një veprim i ardhshëm e çon në izolim, një veprim i koordinuar i hap rrugë të sigurt zhvillimit, forcimit, lëvizjes për partneritetin për paqe dhe anatërësimit në NATO”.
Por për presidentin e vendit, nëse procedimi i projektligjit për shndërrimin e FSK-së nga Qeveria për në Kuvend ndodh sot, atëherë është momenti i gabuar.
“Sot është një ditë e rëndësishme dhe historike për Kosovën - Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave për Kosovën”.
“Mendoj se procedimi i kësaj çështjeje sot, nëse është i vërtetë, është ditë e gabuar në këtë ditë historike për Kosovën sepse nuk kemi nevojë me këtë mëngjes t'ia dërgojmë këtë mesazh të gabuar miqve dhe partnerëve tanë evropianë”.
“A kemi të drejtë, kemi të drejtë. A duhet të lëvizim, duhet të lëvizim. A duhet të lëvizim edhe më shpejtë, po, por në një proces plotësisht të koordinuar me SHBA-të dhe NATO-n”.
“Çdo lëvizje tjetër mund të sjellë vetëm ngatërresa dhe pështjellime politike të panevojshme por edhe implikime negative ndërkombëtare në raport me të sotmen dhe të ardhmen e Ushtrisë së Kosovës”.
“Duhet të koordinohemi si bartës të institucioneve, shpresoj se edhe partnerët e koalicionit janë koordinuar me opozitën sepse kjo çështje është shtetërore dhe madhore, nuk është punë individi ose grupi politik.
"Shpresojmë se do të kemi rezultat me të vertëtë që e presin qytetarët e Kosovës, spektri politik, shoqëria civile por edhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”. / Klan Kosova