Lajmet e fundit

Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ka thënë se takimi i fundit në Bruksel nuk ka dështuar.
Sipas shefit të diplomacisë kosovare ai ka qenë “një takim shumë intensiv dhe jashtëzakonisht dinamik”.
“Ka pasur një debat shumë të gjallë për katër-pesë çështje shumë të rëndësishme për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Ne kemi diskutuar dhe kemi shënuar një progres sa i përket formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe integrimit deri në fund të serbëve në institucionet e Kosovës”, tha Thaçi në një intervistë për DW.
Kryediplomati kosovar ka shtuar më tej se ky asociacion do të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në vitin 2013 për normalizimin e raporteve Kosovë - Serbi si dhe në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës për vetëqeverisjen e komunave.
Sa i përket urës mbi lumin Ibër apo i ashtuquajturi "Parku i paqes" , Thaçi tha se ka mbetur që kjo çështje të diskutohet edhe në ditët e ardhshme, duke u shprehur optimist se shumë shpejt do të rregullohet edhe kjo çështje dhe njerëzit do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm mbi këtë urë dhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Kurse lidhur me deklaratën e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Beogradi nuk do të pranojë që Kosova të ketë kodin e saj telefonik, Thaçi theksoi se kjo “çështje është punë e përmbyllur. Kosova do të ketë kodin e saj telefonik"
“Kosova do të ketë kodin e saj telefonik. Aktualisht jemi duke biseduar dhe duke u konsultuar edhe me vendet e treta, të cilët mund të ndihmojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Jemi duke biseduar në veçanti me Austrinë dhe disa vende të tjera. Serbia nuk mund të vendosë për këtë çështje. Këtë e vendosin institucionet e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Evropian”.
Ministri i jashtëm tha se pret me optimizëm ditën e hënë që të finalizohet dhe realizohet marrëveshja për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po ashtu pret që të arrihen marrëveshje edhe për telekomin, energjinë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve mbi lumin Ibër.