Lajmet e fundit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka ftuar në takim për sot liderët e subjekteve politikë për të diskutuar për reformën zgjedhore.
Ftesës së të parit të vendit i kanë thënë jo tri partitë opozitare në vend, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Nisma për Kosovën, njofton Klan Kosova.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se lideri i tyre Ramush Haradinaj nuk gjendet në Kosovë.
“Haradinaj nuk është në Kosovë, por edhe po të ishte, ai nuk do të merrte pjesë në takimin e ftuar nga Thaçi – sepse kjo temë tashmë është e vonuar”, ka thënë për klankosova.tv, Muharrem Nitaj, zëdhënësi i kësaj partie.
Jo, takimit i kanë thënë edhe përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Zgjedhjet e reja, po të mbahen të ndershme, do të prodhonin legjitimitet për institucionet dhe mbi të gjitha do të sillnin mundësinë për ndryshim që aq shumë i duhet Kosovës”, ka shkruar Visar Ymeri, lideri i Vetëvendosjes pas ftesës që iu është bërë nga Presidenti Thaçi.
“Pra, e refuzoj këtë ftesë për reformë zgjedhore. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme. Në të mirë të vendit”.
Ngjashëm do të veprojnë edhe NISMA për Kosovën.
“Ftesën e kemi marrë, por nuk do të marrim pjesë”, ka thënë për Klan Kosovën, Valmir Gashi, zëdhënësi për media i NISMA-s, njofton Klan Kosova.