Lajmet e fundit

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, vendin tonë do ta përfaqësojë ambasadorja në Washington, Vlora Çitaku, kurse Serbinë kryediplomati, Ivica Daçiq.
Ndërkohë që në kohën kur zhvillohet ky takim, homologu i Daçiqit, Hashim Thaçi po qëndron për një vizitë zyrtare në Bruksel së bashku me kryeministrin Isa Mustafa.
Kjo nuk është hera e parë që në këtë mbledhje Kosova përfaqësohet nga Çitaku, pasiqë një gjë e tillë kishte ndodhur edhe gjatë vitit 2010 në kohën kur ajo shërbente në postin e zëvendës ministres së Jashtme, njofton Klan Kosova.
Ndryshe, në New York do të diskutohet për raportin tremujor të Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën në kohën kur është përshkallëzuar dhuna pas arrestimit të deputetes së AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, gjatë ditës së djeshme.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombëve të Bashkuara, Ban Ki Moon, në raport ka bërë thirrje për ndalje të dhunës dhe me këtë rast ai ka akuzuar drejtëpërdrejtë partitë opozitare.
“E dënoj përdorimin e dhunës dhe frikësimin nga partitë opozitare që pengojnë punimet normale të Kuvendit të Kosovës, si dhe sulmet e papranueshme fizike nga ana e aktivistëve të opozitës. Aktet e tilla dëmtojnë besimin e publikut në këto institucione si dhe imazhin e Kosovës në botë,” thekson në raport, Sekretari Ban, njofton Klan Kosova.