Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë diplomën për studenten e parë të diplomuar në Universitetin Publik “Isa Boletini”, në Mitrovicë. Studentja Antigona Pllana ka pasur fatin të jetë e para që ta marrë diplomën e lëshuar nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”.
Gjatë vizitës së tij në këtë Universitet, i shoqëruar dhe nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagchilar, presidenti ka vlerësuar punën e bërë në këtë Universitet. Gjatë takimit është biseduar me stafin menaxherial dhe akademik lidhur me të arriturat e këtij institucioni. Presidenti dhe qeveritarët panë nga afër edhe punimet që po bëhen në ndërtimin e Kampusit Universitar. Thaçi ka vlerësuar lart punën që po bëhet në këtë Universitet, sa i përket përmirësimit të infrastrukturës dhe ndërtimin e standardeve të edukimit, në përgatitjen e kuadrove të reja, shkruan Zëri.
“Ndihem mirë që ka filluar ndërtimi i hapësirës së re moderne në Rektoratin e këtij Universiteti. Nga kjo që pamë sot, në këtë Universitet, përpos reformave në arsim, që janë jashtëzakonisht të rëndësishme, ofrohen edhe drejtime të veçanta nga universitetet tjera të Kosovës, duke e bërë institucion atraktiv për të studiuar”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Ndërsa, ministri Bajrami tha se Universiteti Publik “Isa Boletini” është shembull i menaxhimit dhe punës së jashtëzakonshme që po bëhet, në krijimin e një institucioni modern.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
K
SHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.