Lajmet e fundit

Ministri i jashtëm Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Vjenë, ku së bashku me kryeministrin Isa Mustafa dhe delegacionin e Kosovës, do të marrin pjesë në samitin treditor për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Kryediplomati kosovar do të marrë pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të Jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
Gjatë këtij samiti pritet që Thaçi dhe Mustafa të nënshkruajnë disa marrëveshje të bashkëpunimit ndërshtetëror.
Ndërsa, në ditën e dytë të Samitit, Thaçi do të jetë pjesë e panelit të shefave të diplomacive të shteteve të rajonit mbi “Dialogun mes feve dhe luftën kundër ekstremizmit”, të drejtuar nga ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.
Samiti i sivjetmë në Vjenë është i ndarë në tre nivele: për kryeministra, për ministra të jashtëm dhe për ministra të ekonomisë, kurse tema kryesore të tij do të jenë “infrastruktura dhe ndërlidhja”, “bashkëpunimi rajonal”, “rinia” dhe “sfida e refugjatëve”.
Ndryshe, shefi i diplomacisë kosovare dhe kryeministri Mustafa do të kenë edhe drekë pune me nikoqirët e samitit, presidentin Fischer dhe me ministrin Kurz, bëhet e ditur në një njoftim të zyrës për informim të ministrisë së jashtme, transmeton Klan Kosova.