Lajmet e fundit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përshëndetur kërkesën e Ministrit të Mjedisit, Ferid Aganit për tu liruar nga detyra e tij si ministër, derisa çështja për të cilën ai akuzohet (afera e stentave), të hetohet tërësish dhe ai të shpallet i pafajshëm.
Thaçi shkruan në profilin e tij në facebook, se ai duhet të jetë shembull për tu ndjekur sa i përket etikës në institucionet shtetërore.
“Si president i vendit e mirëpres gatishmërinë dhe vendimin e z. Ferid Agani për t'u liruar nga detyra e ministrit, për t'u lënë organeve të drejtësisë që të kryejnë punën e tyre. Le të jetë ky shembull i sjelljes në pajtim me etikën institucionale, dhe i gatishmërisë për qeverisje të mirë. Kosova është në rrugë të mbarë të integrimit evropian dhe jemi në prag të liberalizimit të vizave. Sundimi i ligjit mbetet jetik për të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai madje u premton qytetarëve të Kosovës, se nuk do ta lejojë asnjë individ që ka shkelur ligjin të jetë pjesë e qeverisjes e institucioneve të vendit.
“Si president i vendit zotohem para qytetarëve se askush me aktakuza apo të dënuar nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar presidenti.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vendosur të hënën që ta lirojë nga detyra ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani.
Kreu i ekzekutivit e morri këtë vendim sot pas kërkesës së bërë nga Agani të premten që ta lirohet nga detyra e ministrit pas aktakuzës së ngritur ndaj tij për rastin “Stenta”, transmeton Klan Kosova.