Lajmet e fundit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se sikurse e konsideron madhështore fitoren e luftës ndaj Serbisë, e sheh si fisnike mundësinë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare paqësore me shtetin serb.
Thaçi në një intervistë për RTSH ka thënë se Kosova pa anëtarësim në organizata të fuqishme ndërkombëtare mbetet e izoluar, çka sipas tij nuk mund të lejohet që të ndodhë.
“Nuk mund të bëhemi “Palestina” e Ballkanit Perëndimor”.
Në anën tjetër ai ka thënë se Kosova për kohëzgjatjen e vet si shtet është model për pjesën e Evropës që i takon.
Thaçi ka pohuar se me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka zhvilluar disa takime prapa kamerave.
“Jam takuar jashtë kamerave në Bruksel, Vatikan nëpër ceremoni të ndryshme, gjithashtu edhe në Paris, edhe Vjenë e Nju Jork. Kemi diskutuar hapur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, jo diçka nga ajo që kam theksuar në konferenca për shtyp. Faza e fundit e dialogut ka kuptim për Kosovën vetëm nëse ndodhë njohja dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB”.
“Nuk e toleroj me asnjë rrethanë dhe asnjë çmim një marrëveshje që s’e garanton njohjen reciproke dhe anëtarësimin në OKB. Nuk lejoj Asociacion me kompetenca ekzekutive që krijon “Republika Srpska” dhe e defunksionalizon shtetin e Kosovës. Nuk lejoj as të diskutohen”.
“Diçka që është e bekuar nga Shtëpia e Bardhë do të jetë e bekuar edhe për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Thaçi për arritjen e mundshme përfundimtare Kosovë-Serbi.