Lajmet e fundit

Presidenti i vendit , Hashim Thaçi, sot ka mbledhur anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete, me të cilët ka diskutuar për gjendjen e komuniteteve në përgjithësi në Kosovë, për të arriturat e deritashme dhe për punën që duhet bërë në të ardhmen.
I pari i vendit ka thënë se Kosova sot nuk merr shembuj nga rajoni, por është bërë shembull për rajonin.
Ai ka thënë se "jemi shembull se si duhet të promovohet dialogu dhe se si duhet të ndërtohet një shtet që është shtëpi e të gjitha komuniteteve, me një shoqëri multikulturore, ku të gjithë, pa dallim përkatësie etnike, do të mund ta ruajnë dhe ta kultivojnë identitetin dhe kulturën e tyre".
“Para një dekade e gjysmë ishim vend që kishte filluar rindërtimin nga diskriminimi dhe nga lufta ndëretnike. Nuk është ende as një dekadë që jemi bërë shtet i pavarur. Por, në këto pak vite kemi arritur të ecim më shpejt se çdo vend tjetër në rajon drejt ndërtimit të shtetit tonë të përbashkët”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka theksuar se rruga që kemi bërë nuk ka qenë e lehtë, sepse transformimet nëpër të cilat është dashur të kalojmë si shoqëri kanë qenë të mëdha.
“Në negociatat për ndërtimin e shtetit të Kosovës treguam pjekuri dhe vizion politik, duke pranuar provizione që akomodonin të gjitha komunitetet. Kemi ndërtuar mekanizma për të inkurajuar pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, pa marrë parasysh numrin e tyre, në jetën publike e institucionale në Kosovë. Mekanizma për të ruajtur dhe për të promovuar identitetin e tyre”, ka thënë presidenti Thaçi.
Për punën e Këshillit Konsultativ për Komunitete, Kryetari i shtetit ka potencuar se është qenësore për të zhvilluar një debat të mirëfilltë, kur është në pyetje mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të komuniteteve në Kosovë, transmeton Klan Kosova.