Lajmet e fundit

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, ka thënë për gazetën austriake Der Standard se institucionet e Kosovës edhe pas vendimit për të mos i votuar ndryshimet kushtetuese, janë të përkushtuara që të themelojnë Gjykatën Speciale, transmeton Zëri.
“Ne jemi të vendosur për të pastruar emrin dhe trashëgiminë tonë”.
“Gjykata Speciale është instrumenti ynë për t’i mbyllur një herë e përgjithmonë të gjitha spekulimet dhe akuzat që janë drejtuar ndaj shtetit të Kosovës dhe ndaj atyre që na mbështeten”, ka thënë Thaçi për Der Standard,
Ai u shpreh i bindur se Gjykata Speciale do të themelohet nga institucionet e Kosovës.
Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, sipas Thaçit, tash janë duke punuar për të tejkaluar këto detaje dhe për të miratuar draft-ligjin e prezantuar, i cili do t’i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Kurse, i pyetur për mosvotimin e deputetëve të PDK-së në herën e kaluar, Thaçi ka thënë se në PDK respektohet çdo opinion dhe vendim i deputetëve, por se do të vazhdojnë të flasin me deputetët për t’iu ofruar informacione dhe garanci shtesë në çështjet që ata po i kundërshtojnë.