Lajmet e fundit

Ish-drejtori i Arsimit në komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi, në një postim në rrjetin social facebook ka thënë se konkursi për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” , ka një pikë e cila ëka elemente raciste dhe është në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë dhe me statutin e UP-së.
Lexoni të plotë postimin e tij në Facebok:
Konkursi racist i UP-së – Kuotat etnike duhet marrë fund!
Konkursi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) për pranimin e studentëve në studimet themelore baçelor në vitin akademik 2015/2016, i shpallur më 8 korrik 2015, për fat të keq, ka një pikë e cila është në shpërputhje me parimet universale, ka elemente raciste dhe është në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë dhe me statutin e UP-së. Si e tillë, kjo pikë e konkursit të UP-së do duhej të anulohej menjëherë ose nga vet UP-ja, ose nga organet a mekanizmat tjerë ligj-zbatuese.
Përveç numrit të përgjithshëm të studentëve që do të regjistrohen në UP këtë vit (7880) në bazë të konkurrencës dhe meritës, konkursi i UP-së parasheh edhe një numër-kuotë për shtetasit e Kosovës të komuniteteve jo-shumicë: boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe kroat (328), të cilët i kanë këto vende të rezervuara dhe konkurrojnë “brenda llojit” (kuota për studentët që nuk janë shtetas të Kosovës është temë tjetër).
Pra, kjo pikë e konkursit të UP-së qartazi përcakton kuota etnike dhe si e tillë duhet të anulohet së paku për tri arsye:
1. Çdo kuotë e përcaktuar për shtetasit e të njëjtit shtet, në këtë rast edhe kuota e përcaktuar në baza etnike, përbën shkelje të parimit të konkurrencës së barabartë dhe parimit për mundësi të barabarta për regjistrim në studime. Për më tepër, kjo kuotë shkelë edhe parimin që dija nuk është diçka që mund të falet, mbi asnjë bazë, as mbi baza etnike. Kjo kuotë mundëson që një kandidat shumë më i dobët mund të regjistrohet në UP vetëm sepse i përket një etnie të caktuar. Rrjedhimisht, kjo pikë e konkursit është diskriminuese për etninë shumicë në Kosovë dhe si e tillë përbën shkelje të të drejtave të njeriut, dhe kjo është e dënueshme në mbarë botën.
2. Duke përcaktuar kuota për etni të caktuara, shtetas të të njëjtit shtet, atëherë kjo me automatizëm nënkupton se këto etni ose janë më inferiore ose janë më superiore se etnia tjetër (shumica) dhe kësisoj duhet të konkurrojnë brenda llojit, e jo në konkurrencë të hapur e të barabartë me të gjithë shtetasit, pavarësisht etnisë. Nga kjo del që kjo pikë e konkursit të UP-së shpërfaqë racizëm të pastër dhe racizmi është vepër e dënueshme në mbarë botën.
3. Neni 5 i Ligjit për Arsimin e Lartë precizon qartazi: “Në arsimin e lartë që ofrohet nga bartësit e licencuar të arsimit të lartë në Kosovë do të kenë qasje të gjithë personat brenda apo jashtë territorit të Kosovës, pa asnjë lloj diskriminimi.”. Ndërsa Neni 7 i Statutit të UP-së është edhe më i qartë: “Universiteti obligohet të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë pa asnjë lloj diskriminimi në bazë gjinie, race, orientimi seksual, statusi martesor, gjuhe, religjioni, besimi politik a diç tjetër, përkatësi kombëtare, etnike ose sociale, përkatësia një komuniteti kombëtar, pasuria, statusi i lindjes apo ndonjë status tjetër.”. Nga kjo del se kjo pikë e konkursit të UP-së është në kundërshtim të plotë dhe të drejtpërdrejt me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe me Statutin e UP-së, andaj është vepër e dënueshme me legjislacionin e Kosovës.
Bazuar në të gjitha argumentet e sipër-ofruara, si qytetar Republikës së Kosovës:
1. I kërkoj Rektorit të UP-së që menjëherë të kërkojë mbledhje të Senatit dhe të kërkojë nga Senati i UP-së që ta anulojë këtë pikë të konkursit, e cila është në shpërputhje me parimet njerëzore, është kundër të drejtave të njeriut, është raciste dhe është kundër ligjore dhe kundër statutit të UP-së. Me këtë rast, ia përkujtoj Rektorit të UP-së Programin e Punës (të cilin e ka prezantuar vet dhe të cilin e ka publik), në të cilin program është Objektivi 2, sipas të cilit: “Me zbatim të përpiktë të Ligjit, Statutit dhe rregulloreve të Universitetit do të synojmë sigurimin e respektimit të kritereve akademike dhe të ligjshmërisë në Universitet.”.
2. Nëse Rektori dhe Senati nuk ndërmarrin masa për anulimin e kësaj pike të konkursit, atëherë i bëj thirrje Ministrit të Arsimit që të kërkojë nga Inspektorati i Arsimit që ta trajtojë këtë pikë të konkursit dhe të ndërmarrë masa në përputhje me parimet dhe me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.
3. Nëse as Inspektorati i Arsimit nuk ndërmerr masa për anulimin e kësaj pike të konkursit, atëherë i bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit që këtë çështje ta dërgojë në Gjykatë dhe jam i bindur që kjo pikë e konkursit do të anulohet si kundër-ligjore me vendim gjykate.
4. Nëse as Prokuroria e as Gjykata nuk ndërmerr masa për anulimin e kësaj pike të konkursit, atëherë i bëj thirrje Avokatit të Popullit që këtë çështje ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese si pikë që është diskriminuese për etni të caktuara, shkelë të drejtat e njeriut dhe është raciste.
Me këtë rast shpresoj që mediat do ta aktualizojnë këtë problem përmes temave e debateve, në mënyrë që kjo praktikë raciste e regjistrimit të studentëve në UP të marrë fund këtë vit. Gjithashtu, shpresoj që përfaqësuesit e ambasadave do të rrinë jashtë këtij debati, në mënyrë që të mos e politizojnë dhe të mos e etnikizojnë këtë temë.
Jusuf Thaçi
18 korrik 2015
P.S.: Edhe sikur gjithçka të ishte në rregull me kuotat etnike, unë nuk di që ka ndonjë mekanizëm apo institucion në Kosovë që lëshon dokument valid shtetëror, përmes të cilit përcaktohet, verifikohet dhe dëshmohet etnia e një personi të caktuar. Pikërisht për këtë arsye edhe këto kuota keqpërdoren jashtëzakonisht shumë.