Lajmet e fundit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim kreun e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, Shaip Havollin.
Në këtë takim, i pari i vendit theksoi se Agjencia Kundër Korrupsionit është një prej mekanizmave më të fuqishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prandaj sipas tij "nevojitet një bashkëpunim edhe më i madh i të gjitha institucioneve dhe autoriteteve hetuese e prokuroriale, me këtë institucion".
“Kemi progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por gjithnjë ekziston mundësia që të bëhet edhe më shumë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, e ka informuar presidentin për angazhimin e tij prej marrjes së kësaj detyre të re.
Havolli ka thënë se agjencia po angazhohet maksimalisht për zbatimin e ligjit dhe për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit në vend.
Të dy biseduan edhe për shtimin e përpjekjeve, që Kosova të përfshihet në mekanizmat ndërkombëtar antikorrupsion.
“Kosova duhet të përfshihet në mekanizmat ndërkombëtar antikorrupsion”, ka thënë mes tjerash Thaçi, transmeton Klan Kosova.