Lajmet e fundit

Zëvendëskryeministri i parë njëherit edhe ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka folur rreth zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Thaçi i ka komentuar konkulizonet e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe i ka konsideruar marrëzi vonesat nga BE-ja për liberalizimin e vizave.
“Sot Këshilli i Bashkimit Evropian bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit.”
“Përderisa i jemi mirënjohës BE-së për nënshkrimin e MSA-së, unë shpreh zhgënjimin e thellë për vonesat e pakuptimta të BE-së për liberalizimin e vizave. Këtë vonesë të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën e konsideroj provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel. Për mua është marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin tek qytetarët e Kosovës, ka shkruar Thaçi në Facebook, njofton Klan Kosova.
Më tej kryediplomati kosovar ka shtuar se BE-ja duhet ta ndalë diskriminimin ndaj Kosovës dhe ka shkruar se përkundër kësaj Kosova do të jetë e durueshme.
“Për më tepër, kjo qasje e BE-së është duke rrezikuar të gjitha proceset e rëndësishme në vend, përfshirë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e marrëveshjeve dhe arritjen e marrëveshjeve të reja. Prandaj, konsideroj që BE-ja duhet t’i jap fund këtij trajtimi diskriminues kundër Kosovës dhe kështu të jap ndihmën e saj për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.”
“Përkundër kësaj, durimi i ynë do të jetë më i fuqishëm se paaftësia e Brukselit. Por, Kosova nuk guxon të diskriminohet edhe më tej vetëm për shkak se nuk është si Kolumbia dhe Ukraina. Good luck EU!” ka përfunduar postimi i Thaçit, njofton Klan Kosova.