Lajmet e fundit

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, nuk po pajtohet me veprimet e opozitës që ka ndërmarrë kohët e fundit.
Në një intervistë për “Epokën e re”, Thaçi ka thënë se vendi nuk është në krizë politike pasi, sipas tij, qeveria gëzon besimin e më shumë se dy të tretave të Kuvendit të Kosovës.
“Kosova asnjëherë nuk ka pasur koalicion qeverisës më stabil sesa ky që ka tani”, është shprehur ai. Thaçi ka thënë se është për keqardhje që opozita, në mungesë të argumenteve me të cilat do të ballafaqohej në Kuvend, po zgjedh mjete të tjera, jodemokratike, që e cenojnë funksionimin e institucioneve të rëndësishme për qytetarin e Kosovës.
Ndërkaq, duke folur për veprimet e djeshme të opozitës në Kuvend, Thaçi ka thënë se veprimet e opozitës janë bërë të neveritshme. “Veprimet e opozitës janë bërë të neveritshme. Askush nuk mund t’i realizojë objektivat politike nëpërmjet dhunës. Opozita e ka tepruar. Duhet të kuptojë se me ato veprime nuk do të fitojë asgjë. Vetëm po e dëmton Kosovën”, ka thënë ai.